Ljajiq gjatë një interviste për ‘Novosti’, ka thënë se për 14 muaj kanë humbur mbi 400 milionë euro për shkak të pamundësisë për të futur mallra në Kosovë.
“Kjo do të thotë se ekonomia jonë po humb 1 milion e 39 mijë euro në ditë. Industria vendase e ushqimit ka humbur më së shumti. Kompanitë nga Greqia, Bullgaria, Hungaria, Kroacia, Sllovenia, Turqia dhe Maqedonia Veriore kanë marrë pozicionin e tyre”, ka deklaruar Ljajiq.
Sa i përket negociatave Kosovë-Serbi, ai është pyetur se a ja vlen të negociosh pasi Amerika e thotë hapur se qëllimi përfundimtar është njohja e ndërsjellë.
“Këtu të gjithë prisnin që pas fitores së zgjedhjeve të Trump, qëndrimi i SHBA-ve ndaj pavarësisë së Kosovës do të ndryshonte në mënyrë dramatike, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Qasja ndaj negociatave dhe zgjidhjeve të mundshme ka të ngjarë të ketë ndryshuar por marrëdhënia thelbësore e administratës nuk ka ndryshuar. Kam frikë se në do të presim kot që SHBA ose një numër i madh i vendeve të BE-së të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj pavarësisë së Kosovës, dhe pastaj të fillojnë negociatat. Kjo është arsyeja pse është më mirë të kemi një rol proaktiv dhe të ofrojmë vazhdimisht dialog, ndërsa bisedojmë edhe me partnerët ndërkombëtar”, ka theksuar Ljajiq.
Ai ka shtuar se zgjidhja Kosovë-Serbi duket e largët, pasi ende nuk ka një qeveri të re dhe sipas akterëve kryesorë në Prishtinë, nuk ka gatishmëri minimale për çdo lloj kompromisi i cili është mjaft shkatërrues për vetë procesin e dialogut.
“Bashkësia ndërkombëtare për momentin po vepron sikur as nuk di se çfarë të bëj, e lëre më të merret më seriozisht me çështjen e Kosovës. Dhe realisht, pa BE-në, SHBA-në, si dhe Kinën e Rusinë si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit është e vështirë të pritet një zgjidhje për këtë çështje. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se një lloj ‘Dejtoni’ i ri do të jetë i nevojshëm sa herë që kjo çështje është në agjendë”.