Në Arabi fillojnë të mendojnë edhe për trajnerët europianë, pas Allegrit kërkohet legjenda e Liverpool

Futbolli në Arabinë Saudite po përparon me hapa galopantë duke qenë se në Lindjen e Mesme po transferohen gjithnjë e më shumë emra të bujshëm nga Europa. Rasti më i fundit është ai i Karim Benzema apo Ngolo Kante me dy francezët që në ligën arabe gjejnë një si Cristiano Ronaldo.

Por, sheikët pas lojtarëve tashmë mendojnë të investojnë edhe tek trajnerët pasi yjet e sipërpërmendur mund të jenë më rezultativë nëse krijohen kushte ideale, pak a shumë siç ndodh edhe në Europë. Kështu, pas Massimiliano Allegrit që kërkohet nga Al-Hilal, një tjetër emër i bujshëm pretendohet këtë herë nga Al-Ettifaq. Fjala është për legjendën e Liverpool, Stiven Gerrard. Eksperienca e fundit e 43-vjeçarit në pankinën e një skuadre ishte ajo me Aston Villën.

Një aventurë që nuk shkoi sipas parashikimeve dhe që u mbyll në më pak se një vit ndërsa tashmë, Gerrard duket i gatshëm për t’u rikthyer në profesionin e tij. Sigurisht, ofertat që vijnë nga Arabia nuk janë për t’u nënvlerësuar pasi bëhet fjalë për oferta bujare në aspektin financiar dhe pritet tashmë vendimi që do të marrë vetë Gerrard.