Ndryshimet klimatike mund të trefishojnë sipërfaqet e përfshira nga zjarret në Evropë

Ndryshimet klimatike mund të zgjerojnë me deri në 192% sipërfaqen e prekur nga zjarret në pyje në të gjithë Evropën deri në fund të shekullit, sipas një studimi të publikuar të enjten në revistën shkencore Global Change Biology.

Ekipi ndërkombëtar i kërkimit, i udhëhequr nga Maik Billing i Institutit të Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit Klimatik (PIK), tha se përmasat e rritjes do të vareshin nga shkalla e ngrohjes globale.

Zjarret në pyje janë një dukuri natyrore dhe e rëndësishme për biodiversitetin dhe dinamikën e ekosistemeve, shkruan studiuesit. Megjithatë, aktiviteti i këtyre zjarreve aktualisht po rritet. “Ndryshimet klimatike po shtojnë aktivitetin e zjarreve në të gjithë Evropën, pasi kushtet e nxehta, të thata dhe me erë po bëhen më të rënda”, tha Billing.

Simulimet e ekipit treguan se edhe në një skenar me ngrohje globale relativisht të ulët, prej rreth 1,8 gradë Celsius, deri në fund të shekullit do të digjej çdo vit rreth 39% më shumë sipërfaqe toke në Evropë, krahasuar me mesataren e sotme. Në një skenar me ngrohje prej rreth 3,6 gradësh, ekipi parashikoi një rritje prej 192%.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) vlerëson aktualisht se Toka është në rrugën drejt një ngrohjeje prej rreth 2,8 gradësh deri në fund të shekullit.

Evropa Qendrore, pjesë të mëdha të Evropës Perëndimore dhe rajoni i Mesdheut do të preken veçanërisht, thuhet në studim.

Megjithatë, ekipi theksoi se rreziqet e zjarreve në të ardhmen nuk varen vetëm nga tendencat klimatike. Për të përfshirë ndikime të tjera, studiuesit kombinuan skenarët klimatikë me modele të tjera, duke u përqendruar veçanërisht në masa të tilla si parandalimi, zbulimi i hershëm dhe luftimi i zjarreve.

Menaxhimi më i mirë i zjarreve mund ta zvogëlojë sipërfaqen e djegur me 92% në një skenar me ngrohje prej 1,8 gradësh dhe me 72% në një skenar me ngrohje prej 3,6 gradësh, thanë ata./DPA News

© SYRI.net