Ndoshta Kosovës i ndihmohet edhe duke e dëgjuar

Shkruan: Veton Surroi

1.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vazhdën e adresimeve të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë – të fundit në Bruksel në takime me personalitetet prijëse të BE-së – ka demonstruar përkushtimin për të ndihmuar që të mos ketë përshkallëzim dhune, gjegjësisht që të gjitha problemet të zgjidhen nëpërmjet procesit negociator të platformës franko-gjermane. Kryeministri Rama njëkohësisht demonstroi se përkushtimi për ta zgjidhur një problem, madje edhe i shpërfaqur me bollëk, jo domosdoshmërisht zëvendëson në mënyrë të duhur njohurinë për problemin.

Në cicërimën në Twitter para takimit me Ch.Michel, kryeministri Rama shkroi:

“Do t’i përcjell mikut tonë shqetësimet e mëdha për situatën kritike në rajon dhe bindjen time mbi domosdoshmërinë e një konference pa afat kohor, ku të mbyllur brenda mureve të një strukture mikpritëse nën kujdesin e bashkësisë euroatlantike, liderët e Kosovës dhe Serbisë duhet të përmbyllin krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit. Fatkeqësisht, së fundmi të dyja palët i kanë sytë te fronti i politikës së brendshme dhe te sondazhet e përflakura nga retorika nacionaliste. Ndërsa dialogut jetik për të ardhmen e krejt rajonit dhe marrëdhënieve me botën demokratike ia kanë kthyer kurrizin”.

Cicërima përmban thjeshtësinë e vlerësimeve që më duket se e ka të vështirë të kalojë provën e sipërfaqësisë. Dhe, sipërfaqësorja që më del fillimisht në pah është interpretimi se motori shtytës i veprimeve të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit serb janë sondazhet dhe se fjalori dhe veprimi i të dyja palëve në krizën e tanishme të veriut është i determinuar nga matja e opinionit publik të javës paraprake.

Mendoj se është krejtësisht e kundërta. Pra, mendoj se kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq janë konsekuentë në qëndrimet e veta dhe se janë duke vepruar në atë që të dytë mendojnë se është interesi shtetëror-kombëtar. Kryeministri Kurti beson se sundimi i ligjit të Republikës së Kosovës duhet të shtrihet në tërë territorin e vendit e presidenti Vuçiq beson se sundimi i ligjit të Republikës së Kosovës , të cilën ai dhe shteti i tij e përcakton si të ashtuquajtur, nuk mund të shtrihet në territoret ku serbët përbëjnë shumicën. Fakti se këto dy interesa janë antagoniste, dhe jo prej tash, por prej kohësh, sjell si konsekuencë edhe këtë krizë të radhës; kriza nuk është produkt sondazhesh.

2.

Pra, edhe cikli i tanishëm i krizës rrjedh nga fakti se procesi negociator deri tani nuk ka arritur të zgjidhë antagonizmin, pra as t’i vërë fund konfliktit, i cili duhej të përmbyllej me fundin e luftës më 1999. Prej 24 vjetësh vazhdon, kështu, lufta me mjete të tjera, si inversion i thënies së Von Clausewitzit, se lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera. Dhe, për aq sa kjo është krizë e cila shënoi fërkimin NATO-Rusi më 1999, për aq është sot pikë fërkimi i Rusisë me NATO-n në momentin kur Rusia e konsideron luftën e saj pushtuese në Ukrainë si luftë kundër NATO-s.

Thjeshtësimi apo demonizimi i dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë, dhe vendosja e simetrisë (“edhe njëra palë, edhe tjetra”) nuk do të shërbejë për të përshkruar këtë shpjegim ca më të ndërlikuar, por mund të shërbejë më së miri për arsyetimin e një procesi negociator, gjegjësisht të politikës së jashtme evropiane. Ndaj, me përshkrimin e këtillë të Kurtit dhe Vuçiqit ndoshta do të arrihej absolvimi i një mungese aftësie të politikës së BE-së për të tejkaluar antagonizmin me një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse 100 ditë pas arritjes së “marrëveshjes” së Ohrit gjërat kanë shkuar drejt përkeqësimit e jo përmirësimit, atëherë për një gjë të tillë del se do të duhej të jenë përgjegjës lexuesit e sondazheve, Kurti e Vuçiq.

E çka nëse nuk janë?

Në Ohër, kryeministri Kurti kishte vërejtje serioze në dokumentin e përgatitur. Presidenti Vuçiq u shpreh që më herët (disa herë me shkrim) se nuk ishte në gjendje të nënshkruante asnjë dokument.

Këto janë fjalët e J.Borrellit , në Ohër, më 19 mars të këtij viti:

“Më duhet të pranoj se ne fillimisht propozuam një propozim më ambicioz dhe më të detajuar për Aneksin. Fatkeqësisht, palët nuk arritën një marrëveshje për këtë propozim të detajuar.

Kjo ishte nga njëra anë, sepse unë mendoj se njërës palë, Kosovës, i mungonte fleksibiliteti në thelb, dhe nga ana tjetër për shkak të [për] parimeve të parashtruara të Serbisë për të mos nënshkruar edhe pse ishin plotësisht të gatshme për t’u zbatuar.

Për të shmangur këto rrethana, ne bëmë një sërë propozimesh krijuese si për nënshkrimin ashtu edhe për përmbajtjen, por palët nuk ishin në gjendje të gjenin një zgjidhje të pranueshme reciprokisht aq ambicioze sa ne propozonim.

Pra, Aneksi dhe Marrëveshja konsiderohen të miratuara përmes deklaratës sime që do të publikohet”.

3.

Pra, Borrelli shpalli se ishte arritur një marrëveshje të cilën palët nuk e kishin arritur mes vete, dhe se ani pse palët nuk e kishin arritur mes vete, ajo do të shndërrohej në marrëveshje në momentin kur ai ta shpallte. Në analogji të thjeshtë, kjo do të ishte si të shkohej në bankë, të kërkohej një kredi një milion euroshe për rregullimin e një shtëpie, për të cilën nuk ekziston dëshmi kadastrale e të ekzistuarit, por banka duhet të japë kredi, sepse klienti garanton me fjalë të tij se ajo shtëpi ekziston.

Për të tejkaluar këtë gjendje, në cicërimën e kryeministrit Rama jepet propozimi që kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq të mbyllen në një konferencë nga komuniteti euroatlantik dhe të mos dalin pa i përmbyllur “krejt pikat e marrëveshjes së normalizimit”. Kjo në fakt është ide që po qarkullon qe disa muaj, në mos një vit në disa qarqe diplomatike “euroatlantike”. Problemi , natyrisht, është si zakonisht në detaje, e posaçërisht nëse shpallja bëhet në Bruksel.

I pari është dilema e kontinuitetit. Pra, nëse duhet mbyllur në konferencë e të mos dilet, a do të bëhet kjo në bazë të propozimeve të bëra nga Borrell e të cilat ai i konsideron Marrëveshje? Nëse po, atëherë do të vazhdojë lehtësimi i Borrellit dhe në kësi rasti “komuniteti euroatlantik” (diplomatë amerikanë, gjermanë, francezë, britanikë, etj.) duhet të shërbejnë si përforcim i Borrellit.

Detaji i dytë është i diskontinuitetit. Nëse duhet konferencë derisa të arrihet marrëveshja, atëherë improvizimet e Ohrit nuk hyjnë shumë në punë. Atëherë do dëgjuar se çka kanë për të thënë kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq dhe sa janë përpjekur për të akomoduar interesat e shteteve.

Dhe i treti është te korniza. Nëse do konferencë, dhe nëse siç me të drejtë ka cekur kryeministri Rama, këtë duhet ta thërrasin Gjermania dhe Franca (së bashku me SHBA-në dhe BE-së) si autorët e planit të Normalizimit, atëherë pika e vetme e qëndrueshme e negociatave është plani origjinal franko-gjerman, i cili iu dorëzua palëve dhe BE-së dhe kjo e fundit e devalvoi deri në këtë shkallë të krizës.

Dhe përmbledhtazi, nëse duan konferencë, a nuk do të duhej ajo të përgatitej në heshtje nga diplomatët e lartë të kryeqyteteve “euroatlantike” e me dokumente bazë në vend të mikrofonit Rama-Borrell në Bruksel?

4.

Kryeministri Rama në deklarimet e veta i dhuroi publikut pak nga tehu i mprehtë i gjuhës qortuese kur duhej vlerësuar se çka bën apo jo Kosova në lidhje me shtendosjen e gjendjes në veri të vendit; tingëllonte sikur dyzet ushtarët e KFOR-it të plagosur të ishin rrahur nga vetë Kurti, Sveçla dhe simpatizantët e Vetëvendosjes e jo nga një organizatë paramilitare e lidhur me strukturat e sigurisë në Serbi.

Ndoshta do të mund të kishte ndihmuar më shumë po të ishte kursyer prej tonalitetit dhe përmbajtjes së deklarimeve. Për disa vjet janë bërë disa sosh, që nuk është se ndihmuan apo treguan konsistencë qëndrimesh, prej avokimit për ndarje të Kosovës e presidentin e përbashkët Kosovë-Shqipëri, qortimit të Kosovës pse nuk hyn në Ballkan të hapur e trajtimit të hyrjes apo jo të një kryetari komune të Kosovës në zyrë të vet.

Me përkushtimin e njëjtë për Kosovën, nëse për diçka do të vlente, zbutja e vëllimit të deklarimeve publike mbase do të ndihmonte për diçka të re, krijimin e hapësirës për të dëgjuar.