Ish-kreu i Kishës Katolike, Papa Benedikti i 16-të, ka dalë kundër një nisme të pasardhësit të tij, Papa Françeskut, e cila thyen traditën disashekullore duke i dhënë fund beqarisë së priftërinjve.
Kleriku 92-vjeçar që për shkaqe shëndetësore, u tërhoq nga Papati në vitin 2013, i bëri të njohura pikëpamjet në librin me titull “Nga Thellësia e Zemrave: Priftëria, Beqaria dhe Kriza në Kishën Katolike” me bashkautor kardinalin Robert Sarah.
“Të qenit priftërinj të Jezu Krishtit na shtyn të jetojmë njësh me të, të meditojmë për fjalën e Zotit, dhe të heqim dorë nga gjërat që na përkasin vetëm neve, nga gjërat materiale, nga martesa. Përderisa Zotit i shërbehet duke iu kushtuar tërësisht, priftëria nuk e ka të mundur të mbajë dy funksione njëherazi,” thekson Papa Benedikti i 16-të.
Vatikani nuk ka reaguar ndaj librit, por komentet e ish-Papës janë cilësuar të pazakonta dhe ndërhyrje në punët e Kishës.
Propozimi për dhënien fund beqarisë së klerikëve erdhi tetorin e kaluar kur kleri i Amerikës Jugore në shumicë votoi për heqjen dorë nga traditat mijëvjeçare rreth martesës, pasi në shumë zona të largëta mungonin drejtuesit e shërbesave fetare dhe si të tillë mund të ngarkoheshin vetëm burrat e vjetër dhe të martuar.
Teologët tradicionalistë argumentojnë se qëndrimet e Papa Françeskut për këtë çështje mund të nxitin përçarje brenda Kishës.