Ndizen qirinj para Teatrit Kombëtar në nderim të Liridona Ademajt

Shoqatat e grave në Kosovë sonte organizuan ndezjen e qirinjve për të kërkuar drejtësi për Liridiona Ademaj, e vrarë para pak ditësh nga bashkëshorti i saj që dyshohet se pagoi vrasësit, ngjarje kjo që ka tronditur mbarë opinionin shqiptar kudo.

Në ndezjen e qirinjve para Teatrit Kombëtar morën pjesë numër i konsiderueshëm i qytetareve të cilat kërkuan drejtësi dhe që vrasja e Liridonës të jetë e fundit.

Ndryshe, qindra qytetarë kanë pjesë në ceremoninë për t’i dhënë lamtumirën e fundit në rivarrim Liridona Ademajt.

Rivarrimi i trupit të Liridona Ademaj, u bë në varrezat e fshatit Rracaj, në Komunën e Gjakovës.

Nxënës të shkollës fillore “Dy dëshmorët“ në Sheremetaj, ku Liridona ka kryer shkollën fillore, kanë veshur bluza të bardha me mbishkrimin “Drejtësi për Liridonën”

Liridona është vrarë më 29 nëntor në fshatin Bërnicë në Prishtinë.

Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka caktuar tre të dyshuarve masën e paraburgimit prej 1 muaji.

Në mesin e të dyshuarve është edhe bashkëshorti i saj, Naim Murseli.

Ai është i dyshuar për organizim të vrasjes, G.P është i dyshuar për kryerje të vrasjes dhe K.K, pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është i dyshuar për shkak të veprës penale, marrëveshja për të kryer veprën penale, vrasje e rëndë.