Në qytet vazhdimisht ndërtohen ndërtesa të reja, por poshtë çdo gërmimi jeton në heshtje frika e njerëzve që i ndërtojnë ato, shkruan pina.mk, njofton Portalb.mk.
“Thellë në vete gjithmonë e di se toka mund të të mbulojë. Thjesht shpreson që kjo të mos ndodhë sot, sepse kur hyn në një gropë të thellë nuk je kurrë i qetë. Toka nuk të paralajmëron. Thjesht lëshon”, tha për PINA Petre, një 53-vjeçar i cili po punon në ndërtim tashmë për dy dekada e gjysmë.
Ai ka punuar në ndërtimin e dhjetëra ndërtesave, në gërmime dhe objekte të ndryshme në Strugë, Ohër dhe në Italinë e largët. Ai tha se në këtë profesion frikë ka gjithmonë, por me kalimin e kohës njerëzit thjesht mësojnë të jetojnë me të.
Sa të sigurta janë në të vërtetë kantieret e ndërtimit qytetarët u pyetën pas aksidentit në lagjen Kisella Vodë në Shkup, në të cilin një punëtor ndërtimi e humbi jetën si pasojë e shembjes së dheut mbi punëtorët gjatë gërmimeve.
Vitet e fundit Shkupi vazhdimisht ka qenë një front ndërtimi. Mes shtëpive, përgjatë rrugëve të ngushta dhe në lagje me popullsi të dendur mbijnë ndërtesa të reja. Me çdo gërmim të ri fqinjët dëgjojnë ekskavatorë dhe shohin pluhur, por pak njerëz e dinë se çfarë do të thotë të punosh disa metra nën tokë.
“Gërmimet janë pjesa më e rrezikshme. Sidomos kur puna bëhet me ngut. Nëse terreni nuk është i siguruar mirë për tragjedi mjafton edhe një sekondë e vetme”, thotë Petre.
Pas tragjedive të këtilla nuk qëndron vetëm rreziku i profesionit, por edhe neglizhenca institucionale, paralajmëron Sindikata për Ndërtim, Industri dhe Projektim (SNIP).
Fatkeqësitë gjithnjë e më të shpeshta, ndërsa përgjegjësia e paqartë
Në vakumin e informacionit institucional nga Sindikata thonë se është pothuajse e pamundur të merret në kohë një pasqyrë e qartë e asaj që më saktësisht ka ndodhur në terren.
Kryetari i Sindikatës së Ndërtimit, Ivan Peshevski, për PINA tha se problemi më i madh është mungesa e informacionit në kohë dhe të saktë nga institucionet, prandaj shpesh ndodh që ata të mësojnë për fatkeqësitë nga mediat ose direkt nga punëtorët në terren.
Sindikata paralajmëron se në vend nuk ka statistika zyrtare të vetme dhe të harmonizuara mbi lëndimet në vendin e punës, gjë që e ndërlikon edhe më shumë vlerësimin real të situatës në këtë sektor. Ata thonë se numri i fatkeqësive mbetet i lartë, ndërsa statistikat zyrtare shpesh nuk e pasqyrojnë situatën reale në terren.
“Sipas të dhënave të Sindikatës bëhet fjalë mbi 200 lëndime në vit, nga të cilat 20 janë lëndime fatale, e ndonjëherë ka edhe më shumë. Për shembull, në vitin 2025 kishte 31, ndërsa sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës ka pasur 8, gjë që është e turpshme dhe për të ardhur keq që të jenë përgjegjës për të gjitha aktivitetet, kështu që këto shifra, sipas të dhënave të tyre, të lënë përshtypjen sikur gjërat janë përmirësuar, por në fakt ato janë përkeqësuar shumë”, thotë Peshevski.
Ai shpjegon se sipas Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë përgjegjësia kryesore për mbrojtjen e punëtorëve i takon kontraktorit kryesor, i cili mund të angazhojë nënkontraktorë, por mbetet drejtpërdrejt përgjegjës për secilin punëtor në kantierin e ndërtimit.
Nga ana tjetër, nga Inspektorati Shtetëror i Punës thonë se ndërtimi është një nga aktivitetet që përfshihet vazhdimisht në kontrollet inspektuese pikërisht për shkak të rrezikut të lartë nga aksidentet në punë.
Sipas të dhënave që na i dërguan në kuadër të inspektoratit ka gjithsej 46 inspektorë për sigurinë dhe shëndetin në punë të shpërndarë në 30 njësi rajonale në të gjithë vendin. Ata thonë se inspektimet kryhen rregullisht, në raste të jashtëzakonshme dhe pas raportimeve ose njoftimeve për fatkeqësi në punë.
“Ndërtimtaria përfshihet detyrimisht në planet mujore të inspektorëve. Sipas agjendës së reformave kemi për detyrim ta rrisim mbikëqyrjen në ndërtim, por edhe sipas programit vjetor të punës është rritur numri i mbikëqyrjeve në ndërtim si një aktivitet i rrezikshëm ku ndodhin më shpesh fatkeqësi në punë”, thuhet në shkresën e tyre.
“Të kontrollohet roli i shërbimeve inspektoriale dhe mbikëqyrjes“
Por Peshevski është i mendimit se në raste të tilla përgjegjësia nuk duhet të mbetet vetëm tek kontraktori, por duhet të kontrollohet edhe roli i shërbimeve të inspektimit dhe mbikëqyrjes në terren.
“Në rastin e fundit ku kemi një viktimë në një kantier ndërtimi në Kisella Vodë, personalisht mendoj se krahas kontraktorit përgjegjësia duhet të kërkohet edhe nga inspektori i ndërtimit i punësuar në komunë dhe inspektori i punës i cili ka qenë përgjegjës për mbikëqyrjen e atij kantieri ndërtimi (ky punëdhënës është ndëshkuar disa herë nga i njëjti inspektorat) si dhe nga mbikëqyrësit të cilët duhet të jetë vazhdimisht të pranishëm në aktivitetet e ndërtimit”, thotë Peshevski.
Sa i përket fatkeqësisë në Kisella Vodë nga inspektorati thonë se tashmë është kryer një inspektim dhe janë përgatitur raportet fillestare.
“Shkaku i fatkeqësisë është mungesa e mbrojtjes kolektive të punëtorëve nga rreziku i shembjes së dheut. Është shqiptuar ndalesë për punë në kantierin e ndërtimit, përveç punës për eliminimin e shkakut të ndalesës”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Peshevski thotë edhe se mbikëqyrja inspektuese është e pamjaftueshme për vëllimin e aktivitetit ndërtimor, sidomos në Shkup, ku, siç thotë ai, për të gjithë qytetin ka vetëm shtatë inspektorë për sigurinë dhe shëndetin në punë.
“Nga statistikat e tyre do të shohim mijëra mbikëqyrje dhe kontrolle, por në territorin e Qytetit të Shkupit ka gjithsej 7 inspektorë për sigurinë dhe shëndetin në punë. Kjo tregon se kontrollet nuk kryhen plotësisht siç duhet të jenë sipas rregullave. Ata janë në terren gjithmonë pas një ankese paraprake nga Sindikata ose nga vetë punonjësit, por nuk kemi parë ndonjë rezultat nga kontrollet e paparalajmëruara dhe çfarë kanë bërë ata për t’i ndëshkuar punëdhënësit e pakujdesshëm”, shton Peshevski.
Sipas tij, në vend që të kryhen në mënyrë parandaluese kontrollet në të shumtën e rasteve kryhen pas një raportimi ose pasi të ketë ndodhur një fatkeqësi, ndërsa dënimet për punëdhënësit nuk janë aq serioze sa të ndikojnë në një ndryshim të praktikave.
Peshevski shton se shkaqet më të shpeshta të lëndimeve janë orët shtesë dhe puna e padeklaruar, mungesa e pajisjeve mbrojtëse dhe improvizimet në vendet e ndërtimit, ku siguria, siç thotë ai, ende trajtohet si shpenzim, e jo si detyrim.
“Punëtori nuk duhet të jetë material i konsumueshëm”, paralajmëron ai, duke theksuar se jeta njerëzore duhet të jetë mbi çdo fitim.
Nga Sindikata thonë se e vetmja mënyrë për të parandaluar tragjedi të reja është mbikëqyrja e vazhdueshme dhe rigoroze bashkë me zbatimin e vërtetë të ligjeve dhe sanksioneve që do të kenë një efekt real në terren.



