Ndershmëria mund ta çojë përpara procesin e paqes në Lindjen e Mesme

Për të qenë i qartë, nuk po e shpall një iniciativë evropiane të paqes. Në këtë fazë, ne thjesht po u qasemi të tjerëve dhe po shqyrtojmë se si mund të përgatitemi për ditën kur izraelitët dhe palestinezët të jenë të gatshëm. Mund ta afrojmë atë ditë duke e portretizuar një pamje më të qartë të asaj se si do të dukej paqja rajonale. Ndershmëria e kërkon që të shohim se nuk e kemi luksin për të pritur edhe më gjatë

Shkruan: Josep Borrell

Shumë njerëz po vdesin për çdo javë në Izrael dhe në territoret e pushtuara palestineze, ndërsa me miliona të tjerë po jetojnë në frikë dhe pa shpresë. Përgjigjja e botës është karakterizuar me shumë deklarime e pak veprime. Kjo duhet të ndryshojë. Ne në Bashkimin Evropian dhe në komunitetin më të gjerë ndërkombëtar duhet të bëjmë më tepër. E dimë se njerëzit anembanë botës presin që ne të punojmë për paqe, për drejtësi dhe për të drejtën ndërkombëtare kudo. Por për të vepruar me sukses, së pari duhet të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin dhe me veten.Të qenët të sinqertë nënkupton që të pranojmë se ekstremizmi është në rritje në të dyja anët. Sulmet pa dallim dhe dhuna po marrin shumë jetë izraelite. Dhuna nga ana e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor po i kërcënon përherë e më shumë jetët e palestinezëve dhe jetesën – pothuajse gjithmonë pa ndëshkueshmëri. Për më tepër, operacionet ushtarake izraelite vazhdimisht shkaktojnë vdekjen e civilëve palestinezë, rëndom pa llogaridhënie efikase; vendbanimet ilegale po zgjerohen në tokat e okupuara; dhe status quo-ja delikate lidhur me Vendet e Shenjta po gërryhet. Përderisa izraelitët mund të mbështeten në një shtet dhe ushtri të fortë, palestinezët nuk i kanë mundësitë e tilla. Kjo pabarazi e gjerë në aftësinë për ta kontrolluar fatin e dikujt është e dukshme në secilën pikë kontrolli rrugor. Krejt këto fakte janë pengesa për paqen.

Sa për siguri, akterë të ndryshëm përbrenda Evropës rëndom reagojnë ndryshe karshi ngjarjeve në rajon. Por kjo nuk e pengon BE-në në veprim. Të gjithë ishim alarmuar prej zhvillimeve të fundit dhe ne të gjithë duhet ta ndajmë të njëjtin qëllim përfundimtar: të shohim një shtet të sigurt, globalisht të njohur të Izraelit që jeton në paqe përkrah një shteti të sigurt, globalisht të njohur të Palestinës. Kjo zgjidhje do t’ua lejonte të dyja palëve që të gëzojnë liri, prosperitet dhe marrëdhënie paqësore me fqinjët e tyre.

Në rrezik janë edhe vetë interesat tona. Duam paqe, ngase përfundimi i konfliktit do të ishte shumë më i mirë për sigurinë ndërkombëtare. Duam paqe, ngase e pranojmë të drejtën si të Izraelit, ashtu edhe të Palestinës për ekzistencë dhe ngase ngrihemi për parimin e së drejtës ndërkombëtare kudo. Duam paqe sepse ndajmë lidhje me të gjithë popujt në Tokën e Shenjtë dhe ngase ajo do t’i sillte përfitime stabilitetit dhe prosperitetit rajonal. Dhe, duam paqe, ngase terrorizmi është kërcënim kudo.

Por përderisa BE-ja, Autoriteti Palestinez dhe një pjesë e konsiderueshme e publikut izraelit e mbështesin zgjidhjen me dy shtete, Hamasi nuk e pranon të drejtën e Izraelit për ekzistencë, ndërsa marrëveshja e koalicionit e Qeverisë aktuale izraelite ua mohon palestinezëve të drejtën për shtetin e tyre. Ç’është e vërteta, e djathta izraelite mohon përherë e më shumë se pushtimi madje ekziston.

Qartazi, as pala izraelite dhe as ajo palestineze nuk janë gati për paqe. Në anën palestineze ka mungesë uniteti, sikurse edhe legjitimitet të pamjaftueshëm demokratik. Të gjitha fraksionet palestineze do të duhej të hiqnin dorë nga terrorizmi dhe t’i tejkalojnë ndasitë e tyre politike. Në anën izraelite, prioritetet kryesore duhet të jenë ndalimi i ndërtimit të kolonive dhe i dhunës së kolonëve, si dhe ofrimi i negociatave për një shtet të pavarur palestinez.

Viteve të fundit, komuniteti ndërkombëtar ka dështuar që të bëjë përpjekje thelbësore për paqen midis palëve. Miqtë tanë amerikanë prej kohësh janë përpjekur që të ndihmojnë në afrimin e palëve, ndërsa marrëveshjet e fundit të normalizimit (Marrëveshjet e Abrahamit) midis Izraelit dhe disa prej fqinjëve të tij arabë po që i dhanë një kontribut të rëndësishëm për stabilitetin rajonal. Por ata nuk ndikuan në përafrimin e paqes izraelito-palestineze. Përderisa Shtetet e Bashkuara mbeten thelbësore për procesin, ne më nuk mund t’ua lëmë pjesën më të vështirë të punës diplomatëve amerikanë. Në vend të kësaj, na duhet një përpjekje e përnjëmendtë kolektive që i përfshin shtetet arabe, Evropën, SHBA-në dhe të tjerët.

Me këtë transmetim të sinqertë të fakteve, çfarë duhet të bëjmë më tej? Para së gjithash, na duhen përpjekje më intensive ndërkombëtare për ta krijuar një dinamikë të re paqeje. Derisa nuk mund t’i detyrojmë palët për t’u ulur në tryezën e negociatave, ne mund ta përgatisim terrenin dhe t’i ndihmojmë ato të përgatiten.

Më 2013, BE-ja e ofroi një “pako të pashembullt të mbështetjes për sigurinë, ekonominë dhe politikën” po qe se palët do të arrinin një marrëveshje të paqes. Duke e pasur këtë në mendje, e udhëzova përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Sven Koopmans, që të bashkëpunojë me Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së për ta zbatuar një propozim të këtillë. I kërkova njashtu që të zhvillonte (bashkë me partnerët tanë) edhe propozime konkrete për një proces gjithëpërfshirës rajonal për arritjen e paqes si mes Izraelit dhe Palestinës, ashtu edhe mes Izraelit dhe të gjithë fqinjët e tij arabë.

Më pas, në shkurt, e takova ministrin e Jashtëm të Arabisë Saudite, Princin Faisal bin Farhan al-Saud, dhe sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, të cilët u pajtuan që ta ringjallnin dhe ta ndërtonin Nismën Arabe të Paqes të vitit 2002 dhe t’ia shtonin asaj pakon evropiane të paqes. Në këtë përpjekje, do të punojmë ngushtë me partnerë të tjerë arabë dhe ndërkombëtarë.

Ky proces ka të bëjë me skicimin e mënyrës sesi Izraeli dhe Palestina do të integroheshin në rajon po qe se bëjnë paqe. Duhet t’i kemi parasysh llojet e bashkëpunimit të sigurisë, politik dhe ekonomik, që do t’i mundësonte paqja, si dhe se si të gjitha palët mund t’i adresojnë sfidat e përbashkëta ndërlidhur me ujin, energjinë, infrastrukturën dhe ndryshimet klimatike.

Ky është një moment për të eksploruar se si mund të kontribuojmë të gjithë në paqen izraelito-palestineze kur ajo të ndodhë. Qartazi, as kontributet e Evropës dhe as të askujt tjetër nuk do të mund të zbatoheshin po qe se nuk ndodh një marrëveshje izraelito-palestineze e paqes, ndërsa nuk do të duhej të supozonim se premtimet tona për mbështetje do të jenë të mjaftueshme për ta prodhuar këtë rezultat. Megjithëkëtë, diçka nevojitet për ta ndaluar ciklin aktual të dhunës dhe ne mund ta luajmë një rol vendimtar për t’i ndihmuar palët që t’i mendojnë opsionet e tyre.

Për të qenë i qartë, nuk po e shpall një iniciativë evropiane të paqes. Në këtë fazë, ne thjesht po u qasemi të tjerëve dhe po shqyrtojmë se si mund të përgatitemi për ditën kur izraelitët dhe palestinezët të jenë të gatshëm. Mund ta afrojmë atë ditë duke e portretizuar një pamje më të qartë të asaj se si do të dukej paqja rajonale. Ndershmëria e kërkon që të shohim se nuk e kemi luksin për të pritur edhe më gjatë.

(Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, është zëvendëspresident i Komisionit Evropian për një Evropë më të fortë në botë. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).