Ka ndërruar jetë Iljaz Memeti nga Reçica e Vogël, ish-inspektor i Policisë dhe një emër i respektuar ndër vite nga kolegët dhe bashkëpunëtorët e tij. Lajmi i trishtë ka shkaktuar dhimbje të madhe te familja, miqtë dhe kolegët që e njohën nga afër.
Ndarjen nga jeta të Iljaz Memetit e ka bërë të ditur kolegu i tij, Shefik Bajrami, i cili përmes një mesazhi ngushëllimi ka theksuar se i ndjeri ishte shumë më tepër sesa një koleg pune. Sipas tij, mes tyre kishte një miqësi të fortë të ndërtuar gjatë viteve të bashkëpunimit profesional, sfidave të përbashkëta, sukseseve dhe bisedave të sinqerta që lanë pas kujtime të paharruara.
“Iljazi nuk ishte vetëm koleg, por shok i jetës. Largimi i tij ka lënë një zbrazëti të madhe tek të gjithë ne që patëm fatin ta njohim dhe të punojmë me të”, thuhet në mesazhin e Bajramit.
Iljaz Memeti jetonte në Reçicë të Vogël dhe për shumë vite ka shërbyer si inspektor i Policisë.
Ceremonia e varrimit të Iljaz Memetit është mbajtur sot, në orën 15:00, në varrezat e Reçicës së Vogël.






