Ndërron jetë Mbretëresha e Britanisë

Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë në Mbretërinë e Bashkuar, vdiq të enjten në moshën 96-vjeçare.

Familja e saj u mblodh në shtëpinë e saj në Balmoral të Skocisë, pasi iu përkeqësua gjendja shëndetësore.

Mbretëresha mori fronin në vitin 1952 dhe mbretëroi plot 70 vjet.

Pas vdekjes së saj, fronin do ta marrë djali i saj i madh, Charles, ish-Princ i Uellsit.

Pallati mbretëror tha përmes një deklarate se “Mbretëresha vdiq paqësisht në Balmoral këtë pasdite”.

“Mbreti dhe bashkëshortja do të qëndrojnë në Balmoral këtë mbrëmje dhe do të kthehen në Londër nesër”, u tha në deklaratë.

Të gjithë fëmijët e Mbretëreshës shkuan në Balmoral, pasi mjekët e morën atë nën mbikëqyrje./REL