Ndërron jetë aktori, Mejdi Alidemi

Ka ndërruar jetë aktori dhe regjisori, Mejdi Alidemi, njofton TV21.

Lajmin e kanë bërë të ditur miqtë e tij të afër, të fushës së teatrit por edhe të publicistikës.

Ndërkaq Teatri Shqiptar mes tjerash shkruan:

“Mejdi Alidemi nuk ishte vetëm aktor — ai ishte krijues i plotë, që e preku edhe regjinë me ndjeshmëri e vizion.
Deri në ditët e fundit nuk pushoi duke ushqyer dashurinë për teatrin te të rinjtë përmes projekteve të shumta.
Energjia, fisnikëria dhe përkushtimi i tij ndaj artit do të mbeten shembull frymëzimi për brezat që vijnë”.

Njoftohet se lamtumira e fundit do t’i jepet më 20 tetor, pas ceremonisë fetare, në ora 13:00, në varrezat e Butelit.

Daut Dauti ka bërë të ditur se Alidemi kohës së fundit po vuante nga një sëmundje, që gjendjen e tij ia kishte bërë serioze.

“E kërkoja ditëve të fundit në telefon për një projekt teatror të nisur vitin e kaluar, për shkak të një mundësie për të siguruar një mbështetje financiare nga një fondacion i huaj, por telefoni i tij mbeti i shurdhër. E pyeta një mik të përbashkët se mos është ndoshta i paqejf, duke kujtuar një operacion para dy vitesh, dhe ai ma konfirmoi se është diçka më serioze, por tha se herën e fundit kur janë dëgjuar, kishte qenë më optimist…”, shkruan Dauti.

Kjo është humbja e dytë brenda një jave për fushën e teatrit.

Para pak kohësh, në amshim kaloi edhe aktori Beqir Nuredini.