Ndërron jetë aktori i njohur i humorit shkodran Gëzim Kruja

Ka ndërruar jetë mjeshtri i madh i humorit, Gëzim Kruja.

Ai prej kohësh ishte në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe daljen e fundit për media e bëri në festën për 80-të vjetorin e lindjes, festë të cilën i organizuan miqtë e teatrit.

Gëzim Kruja ka lindur në Shkodër, në vitin 1939. Karrierën humoristike e ka nisur që në moshën 13-vjeçare.

Fillimet me Estradën amatore nisin që në kohën kur ishte ushtar më 1958.

Më pas vazhdon aktivizimin në vitin 1960 me Estradën profesioniste të Shkodrës.

Gëzim Kruja ka mbaruar në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër.

Ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor.

Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit.

Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit”.

Në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”.