Këtë të shtunë ka ndërruar jetë 21-vjeçari, i cili mbeti i plagosur rëndë nga përplasja e dy automjeteve, në aksidenti që ndodhi më 6 shtator, në aksin rrugor Orikum–Himarë, në fshatin Dukat Fushë.
Sipas raportimeve, i riu kishte kaluar një muaj e gjysmë trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë. Por, pas daljes nga spitali, kishte pësuar zhvillim të infeksioneve në plagët e marra, gjë që e çoi në përkeqësim të menjëhershëm të gjendjes shëndetësore.
Pavarësisht ndërhyrjes urgjente mjekësore dhe transportimit të tij sërish drejt spitalit, i riu nuk ka mundur të mbijetojë.
Policia ka bërë me dije se : “Ngjarja që i mori jetën të riut ndodhi në mesnatën e 6 shtatorit, rreth orës 01:30, në aksin rrugor Orikum–Himarë, në fshatin Dukat-Fushë. Një automjet tip “Audi” u përplas me një tjetër “Fiat”, duke shkaktuar katër të plagosur, mes tyre edhe 21-vjeçarin që humbi jetën.
Nën hetim është vënë drejtuesi i “Audit”, Fadil Bodo, 22 vjeç, i cili dyshohet se ka qenë shkaktar i përplasjes për shkak të shpejtësisë së lartë. Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe pasagjerët Flavio Qepi, 20 vjeç, dhe D.K., 21 vjeç, ky i fundit në gjendje të rëndë, si dhe drejtuesi i “Fiatit”, Gabriel Lazemetaj, 20 vjeç.
Sipas të dhënave paraprake, përplasja ka ndodhur si pasojë e shpejtësisë së lartë dhe humbjes së kontrollit nga një prej automjeteve.
Policia dhe Prokuroria e Vlorës po vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes që mori një jetë të re”, thuhet në njoftimin e Policisë./euronewalbania/