Komuniteti shqiptar në Kroaci ka marrë me dhimbje të thellë lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të njohur Arif Memeti, një figurë e respektuar për kontributin e tij të gjatë në çështjen kombëtare.
Arif Memeti njihej si një atdhetar i përkushtuar dhe një njeri me vlera të larta njerëzore, kombëtare dhe fetare që një jetë e kaloi në mërgim, gjegjësisht Kroaci. Gjatë gjithë jetës së tij, ai ishte aktiv në shërbim të popullit shqiptar, duke dhënë kontribut të çmuar në periudha të rëndësishme për organizimin dhe avancimin e komunitetit në diasporë.
Ai ishte ndër përkrahësit e hershëm të Universitetit të Tetovës, duke kontribuar në kohë sfiduese për arsimin shqip dhe të drejtat e shqiptarëve. Në vitet ’90, Memeti ishte anëtar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve në Osijek, ndërsa nga viti 1993 mori pjesë aktive në themelimin e Bashkësisë së Shqiptarëve për prefekturën e Osijekut, ku la gjurmë të rëndësishme në jetën shoqërore dhe kombëtare të komunitetit.
Edhe pas kthimit në vendlindje, ai mbeti i lidhur ngushtë me bashkatdhetarët dhe aktivitetet kombëtare në Kroaci dhe më gjerë, duke vazhduar të kontribuojë në organizata dhe nisma me karakter kombëtar.
Ndarja nga jeta e Arif Memetit konsiderohet një humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij dhe fshatin Gradec, por edhe për komunitetin shqiptar në diasporë, ku ai gëzonte respekt të veçantë.
Ngushëllime familjes, miqve dhe bashkëpunëtorëve, ndërsa kujtimi për të do të mbetet i përhershëm.(INA)





