Ndërroi jetë Agim Jonuz, analisti dhe publicisti i njohur nga Shkupi

Analisti dhe publicisti i njohur nga Shkupi, Agim Jonuz, ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të shkurtër. Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur opinionin publik në Maqedoninë e Veriut, ku ai ishte një ndër zërat më të spikatur dhe më të respektuar në jetën publike, përcjell TV21.

Agim Jonuz njihej për analizat e thelluara politike, përfshirjen aktive në debatet publike dhe qëndrimet e tij të drejtpërdrejta ndaj zhvillimeve në vend dhe rajon. Si figurë publike, ai shpesh trajtonte tema që lidhen me marrëdhëniet ndëretnike dhe proceset euro-integruese të Maqedonisë së Veriut.

Në daljet e tij mediatike, Jonuz shquhej për guximin dhe sinqeritetin me të cilin kritikonte politikat përjashtuese dhe i bënte thirrje shoqërisë për bashkëjetesë, respekt të ndërsjellë dhe ndërtimin e një shteti të barabartë për të gjithë qytetarët.

I lindur dhe rritur në Shkup, Jonuz e zhvilloi aty edhe pjesën më të madhe të karrierës profesionale. Ai ka shërbyer për vite me radhë në institucione shtetërore dhe në sektorin privat, ndërsa ka mbajtur edhe postin e zëdhënësit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në periudha të ndryshme. Gjatë kësaj kohe, ai u vlerësua për profesionalizëm, komunikim të qartë dhe ndershmëri në raport me opinionin publik.

Në botën e biznesit, ai ishte drejtor ekzekutiv i kompanisë “VIA Group Defence”, me veprimtari në Shkup, Ankara dhe Lindjen të Mesme. Përveç kësaj, ai ishte edhe këshilltar dhe konsulent në fusha të ndryshme ekonomike dhe të sigurisë.

Si analist politik, Agim Jonuz ishte i pranishëm në shumë debate televizive dhe forume publike, ku komentonte zhvillimet politike, raportet ndëretnike dhe të ardhmen euroatlantike të vendit. Stili i tij i drejtpërdrejtë dhe shpesh provokues e bënte një ndër analistët më të dëgjuar dhe më të ndjekur në vend.

Për shumë vite, Jonuz ka qenë prezent si analist në studiot e TV21. TV21 i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të tij.