Ndërmarrja Publike “Pyjet Kombëtare”, ESHR: 259 persona në që të ishin në terren, qëndronin në zyrë

Nga 355 persona të punësuar në ndërmarrjen publike “Pyjet Kombëtare” 259 prej tyre nuk kanë punuar në shërbimet ku janë pranuar por kanë realizuar shërbime administrative. Kështu thotë raporti i Entit Shtetëror të Revizionit për vitin 2023, për të cilën Prokuroria Publike ka formuar edhe lëndë. Siç thuhet në raport, këta të punësuar edhe pse kanë punuar në administratë, pagat dhe sigurimet u janë paguar me benefite, respektivisht 12 muaj punë u janë llogaritur si 15 muaj.

“Në bazë të një konkursi publik, janë punësuar 355 persona në kohë të pacaktuar dhe atë 173 prerës, 90 bartës, 48 ngarkues dhe shkarkues si dhe 44 punëtorë për punë me sharrë motorike dhe sëpatë. Nga këto të punësuar, revizori ka konstatuar se 73% e të punësuarve nuk i kanë kryer punët dhe detyrat e atij vendi të punës por kanë kryer detyra në drejtori apo në vende të tjera të punës”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.

Marrë parasysh këto konstatime, Prokuroria Publike ka urdhëruar Inspektoratin e Punës që të bëjë inspektim në ndërmarrjen publike “Pyjet Kombëtare” me qëllim që të vërtetohet se cilët punëtorë kryejnë punë administrative dhe jo ato që i kanë për detyrë në marrëveshje. Inspektim duhet të bëhet edhe për atë se kush i ka shpërndarë të punësuarit në ato vende pune dhe a është bërë në kundërshtim me ligjin për marrëdhënie pune. Nëse konstatohet vepër penale, e njëjta duhet të dënoncohet në Prokurori.
Alsat kontaktoi edhe Inspektoratin e Punës nga ku e konfirmuan kërkesën e Prokurorisë Publike.

“Nga ana e Inspektoratit Shtetëror për Punë është dërguar kërkesë deri te NP Pyjet Kombëtare Shkup, që të na dorëzojnë të dhënat se në cilat njësi janë shpërndarë të punësuarit nga konkursi konkret. Prej tyre morëm tabelë sipas numrit të të punësuarve nëpër njësi nga konkursi për punësimin e 355 personave. Ne jemi duke vepruar dhe në afat sa më të shpejtë do të kryejmë mbikëqyrje të jashtëzakonshme inspektuese tek Pyjet Kombëtare ndërsa për gjendjen faktike do ju informojmë”, thonë nga Inspektorati i Punës.

Nga Prokuroria bëjnë të ditur se për të punuar në shërbimet administrative të ndërmarrjes, ndërmarrja është dashur të hapë konkurs në bazë të ligjit për nëpunës administrativ ndërsa kur janë pranuar 355 personat, janë pranuar si kryerës të shërbimeve publike sipas ligjit për të punësuar në sektorin publik. /Alsat/