Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, nënshkroi sot urdhër për të kufizuar qasjen nëueb-faqet dhe aplikacionet e internetit të paligjshme përmes rrjeteve publike të komunikimit elektronik, në rastet e lojërave të paligjshme të fatit, transmeton Portalb.mk.
“Urdhri i fundit mbulon edhe 33 faqe interneti të paligjshme, që do të thotë se numri i përgjithshëm i faqeve të internetit të paligjshme të mbuluara (të ndaluara) deri më tani është 307.
Urdhri i është dorëzuar Agjencisë për Komunikime Elektronike, e cila është e detyruar ta dorëzojë atë te operatorët e rrjeteve të komunikimit elektronik për zbatim brenda pesë ditëve”, njofton Ministria e Transformimit Digjital.
Paraprakisht në qershor 2025, Qeveria bllokoi 173 faqeve të reja të lojërave të fatit online, të cilave iu shtuan edhe 53 të bllokuara muajin paraprak të po atij viti, duke çuar numrin total në atëkohë në 226.
Kujtojmë se kompania për organizimin e lojërave të fatit online “Megawin” duhej të mbyllej në një prej seancave të Qeverisë në shtator të vitit 2024, kjo sipas deklaratave të zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti. Por, një vit e katër muaj nga ky premtim, kjo kompani vazhdon të funksionojë normalisht dhe pa asnjë pengesë. Të pyetur në shkurt të këtij viti nga Portalb.mk, Qeveria tha atëkohë se është proces kompleks dhe se kërkon analizë të detajuar pa specifikuar nëse do të mbyllet.
Qeveria e RMV-së më 24 shtator 2024 vendosi për ndërprerjen e vlefshmërisë së licencave jolegale për kazinot online, me këtë edhe ndalimin e bixhozit online në shtet për disa kompani: NOVO VLT SHPK- Shkup, MOZZART SHPK Shkup, 77 BITS SHPK Shkup, VEZUV SHPK Shkup dhe 2Win.mk. “MegaWin” është kompania e vetme aktive për bixhoz online në Maqedoninë e Veriut.




