Përzgjedhësi i Shqipërisë Sylvinho beson se mund t’ia dalin ndaj Serbisë, por është në dijeni që nuk do të jetë aspak e lehtë.
Shqipëria do të udhëtojë për në Leskovc që të përballet me Serbinë, sfidë që padyshim do ta ketë rolin kyç në kualifikimin për play-offin e Kupës së Botës.
Sylvinho ka dhënë një intervistë paraprake për “TV Klan”, ku deklaroi se lojtarët do të japin gjithçka në përballjen ndaj serbëve, por beson se Shqipëria do ta ketë shansin.
“Kualifikueset e Botërorit nuk janë kurrë të lehta. E dini të gjithë ju. Letonia ishte pak e vështirë, tani jam më i qetë. Letonia luajti me Serbinë dhe luajti mirë, shpenzuam shumë energji për t’i mposhtur ata. Edhe Serbia është kundërshtare e fortë, por kemi lojtarë cilësorë që japin 100 për qind. Pres një sfidë shumë të bukur në aspektin e futbollit”.
Sylvinho
“Ne do të punojmë për këtë sfidë, tani është momenti për analiza, ndeshja duhet të përgatitet mirë sepse është ndryshe. Nuk është vetëm një ndeshje, ka peshë të madhe për kualifikueset, për ne dhe ata. Kur nis ndeshja për 90 minuta, aty nis gjithçka. Do të japim gjithçka në fushë, kemi 5-6 ditë për t’u përgatitur edhe të shohim përpara”.
“Fillimisht jemi në garë, ndeshja më e rëndësishme është e radhës (ndaj Serbisë). I kuptojmë mirë shanset që kemi, edhe në eliminatorët e fundit të Botërorit ishim afër. Të përgatitemi mirë dhe do ta kemi shansin. Kam besim në këtë grup lojtarësh, të të them një sekret, një trajner e ndien kur diçka nuk shkon dhe flasë për 23-24 lojtarë që kam, ata janë të gjithë bashkë dhe jam këtu për t’i ndihmuar”.
“Ëndërroj të kualifikohem me Shqipërinë në Botëror dhe ta fitoj Ligën e Kampionëve me ndonjë klub”, deklaroi ai.
Kujtojmë, përballja mes Serbisë dhe Shqipërisë zhvillohet më 11 tetor.