Aktori i njohur shqiptar Andon Qesari është ndarë sot nga jeta në moshën 78-vjeçare. Ai u largua nga kjo botë mëngjesin e të shtunë, më 13 shkurt, pas një sëmundje të gjatë, e cila e kishte rënduar shumë në vitin e fundit.
Lajmin e ka bere me dije djali i tij, Edon Qesari ne nje postim ne rrjetet sociale, ku shkruan:
Të dashur miq e të njohur,
Sot në mëngjes, pas një sëmundje të gjatë, e cila e kishte rënduar dhe sfilitur shumë në vitin e fundit, i dashuri babai im ANDON QESARI u nda nga jeta në moshën 78-vjeçare.
Dashuria e Tij e pamat për ne, familjarët dhe njerëzit e tij të afërt, përpjekjet për të na dhënë një jetë me dinjitet dhe begati, pasioni i vyer artistik që e shoqëroi gjatë gjithë jetës dhe shënoi një karrierë të paharrueshme në teatrin shqiptar dhe studimin e artit, humori i hollë që e spikaste, janë trashëgimi më i çmuar që na la.
Të dua Ba’ dhe mirupafshim në një jetë më të mirë…

Andon Qesari, lindi në Qeparo më 27 qershor 1942. Aktor dhe regjisor shqiptar, më 1966 u diplomua për aktor në shkollën “Aleksandër Moisiu”. Pas diplomimit emërohet aktor në teatrin profesionist të Vlorës. Në vitin 1972, kalon pedagog në ILA. Në vitin 1975 rifillon aktivitetin e tij artistik si aktor, por në Teatrin Kombëtar.
Ka interpretuar shumë role, duke filluar nga Besniku “Shënomëni dhe mua”, Feni “Furnalta”.
Emërohet përfundimisht aktor i TK në 1977.
Realizoi më vonë Vurmi “Intrigë dhe dashuri”, Qamil Beu “Epoka para gjyqit”, Aleksi “Doktori pacient”, Luixhi “Tragjedia e Deas”, Zeusi “Prometeu”, At Kormili “Monserati”, Kryetari “Vizita e damës plakë”, Ksanthi “Ezopi”, Komisari “Opertunesku” “Kapuleti” “Romeo e Zhulieta”, Berlingu “Vizita e inspektorit”, Konti “Fernando Krafi më ka shkruar një letër”, etj. Ka interpretuar edhe në disa filma artistikë.
I suksesshëm edhe si regjisor: “Karnavalet e Korçës”, “Pallati 176”, “Nën dritat e skenës”, “Në jetë”, “Valsi i Titanikut”, etj. Është nderuar me titullin “Artist i Merituar”.
Veprimtaria Regjisoriale
Karnavalet e Korçës
Pallati 176
Nën dritat e skenës
Në jetë
Valsi i Titanikut
Filmografia
2007—Sekretet……………………………………………………………….Dekoruesi
1996—Tingujt i harresës………………………………………………………
1994—Dashuria e fundit………………………………………………………Shefi i policisë
1990—Inxhinieri i minierës……………………………………………………Drejtori
1989—Kthimi i ushtrisë së vdekur…………………………………………….Ministri i Luftës
1988—Stolat në park………………………………………………………….Regjisori
1987—Bota e padukshme……………………………………………………..Zv/Ministri
1987—Në emër të lirisë……………………………………………………….Syrjai
1987—Tela për violinë………………………………………………………..Doktor Kozmai
1984—Fushë e blertë fushë e kuqe………………………………………………
1983—Fraktura……………………………………………………………….Nëpunësi
1980—Dëshmorët e monumenteve……………………………………………Hesler,kapiteni Austriak
1977—Ata ishin katër…………………………………………………….Bilali, Komandanti i Shtabit Partizan
1976—Pylli i lirisë……………………………………………………………..Një nga dy ballistët
1975—Në fillim të verës………………………………………………………Shefi i Policisë Sekrete Fashiste
1967—Ngadhënjim mbi vdekjen………………………………………………Skënderi