NATO ka njoftuar se Kroacia po hyn në një epokë të re të mbrojtjes së saj ajrore, pasi do të marrë plotësisht përgjegjësinë për mbrojtjen e hapësirës së saj ajrore me aeroplanë luftarakë modernë Rafale.
Siç thekson NATO në njoftim, aeroplanët Rafale kroatë do të integrohen në sistemin e integruar të mbrojtjes ajrore dhe raketore të NATO-s, duke forcuar kështu aftësitë e vetë Kroacisë, por edhe duke kontribuar në mbrojtjen kolektive të Aleancës.
Njoftimi i NATO-s thekson se kalimi nga MiG-21 në Dassault Rafale përfaqëson një hap të madh teknologjik dhe operacional.
Aleanca thotë se aeroplanët e rinj sjellin sensorë modernë, ndërveprim të plotë me aleatët dhe integrim të drejtpërdrejtë në sistemet e komandës dhe kontrollit të NATO-s.
NATO kujton se gjatë periudhës kalimtare, Italia dhe Hungaria siguruan mbrojtje të vazhdueshme të hapësirës ajrore kroate, të cilën njoftimi e përshkroi si një shembull të qartë të solidaritetit aleat.
Sipas njoftimit të alenacës, ekuipazhet kroate janë tashmë të trajnuara plotësisht dhe Rafalet janë në detyrë të vazhdueshme 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, duke forcuar më tej sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen kolektive të NATO-s.



