Aleanca e Atlantikut të Veriut (NATO) deklaroi se është e pozicionuar mirë për të mbrojtur popullsinë e aleatëve nga kërcënimet balistike, një ditë pas sulmit të Iranit ndaj Turqisë.
Në takimin e 32 vendeve anëtare në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte vlerësoi operacionin e suksesshëm të interceptimit të raketës.
Në komunikatë thuhet se Sekretari i Përgjithshëm përgëzoi “Komandantin Suprem të Forcave Aleate në Evropë (SACEUR) dhe të gjithë personelin aleat të përfshirë për përpjekjet e tyre të përbashkëta, të cilat mundësuan identifikimin, gjurmimin dhe interceptimin e suksesshëm të një rakete balistike iraniane”.
”Kjo është një provë konkrete e aftësisë së Aleancës për të mbrojtur popullsitë tona nga të gjitha kërcënimet, përfshirë ato që paraqesin raketat balistike,” shtohet në deklaratë.
Gjithashtu, NATO “dënon ashpër” sulmet iraniane ndaj Turqisë dhe “shpreh solidaritet të plotë me Ankaranë”.
Përforcimi i masave mbrojtëse
Në një postim të veçantë në rrjetin social “X”, zëdhënësi i NATO-s, Martin O’Donnell, deklaroi se aleatët kanë përforcuar mbrojtjen e tyre kundër raketave balistike në të gjithë Aleancën pas incidentit në Turqi.



