NATO: Hetimet për Banjskën po i zhvillon Policia e Kosovës

Përveç institucioneve vendore, hetimet lidhur me agresionin e Serbisë në Kosovë të datës 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, po i zhvillojnë edhe partnerët ndërkombëtarë.

Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca, i cili ka thënë se NATO-ja dhe EULEX-i do të dalin me raporte lidhur me ngjarjen.

Por, nga Aleanca Veriatlantike thanë për Klankosova.tv se hetimet lidhur rastin po i zhvillon Policia e Kosovës, si përgjegjëse e parë për sigurinë.

“Ju referoj tutje tek ata për ndonjë koment tjetër”, tha një zyrtar i NATO-s në përgjigjen për Klankosova.tv.

Ende nuk dihet nëse tjetërkush përveç Policisë dhe Prokurorisë së Shtetit, është i përfshirë në hetimet rreth Banjskës.

Më 24 shtator, u vra polici Afrim Bunjaku, si pasojë e sulmit të armatosur nga një grup terrorist serb.

Po atë ditë, policia e Kosovës arriti që t’i eliminojë tre terroristë dhe t’i arrestojë tre të tjerë.

Organet e rendit të Kosovës në operacionin anti-terror, konfiskuan një sasi të madhe të municionit, armatimit dhe mjeteve të rënda transportuese.

Vlera e tyre kap shifrën e 5 milionë eurove.

Ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, kishte thënë se grupi terrorist ishte drejtuar nga Milan Radoiçiq, gjë të cilën e kishte konfirmuar edhe ky vetë. /Klankosova.tv