Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, që KFOR-i të ndalë zvogëlimin gradual të pranisë së tij të përhershme në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Vuçiq tha më 20 gusht se i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, përmes së cilës ka kërkuar që KFOR-i, sipas tij, të ndalë “terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”.
Lidhur me letrën e Vuçiqit, një zyrtar i NATO-s ka thënë për Telegrafin se Rutte është në kontakt të rregullt me presidentin serb.
Sipas zyrtarit të NATO-s, KFOR-i ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore në Mitrovicë, në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.
Ky proces, sipas tij, është pjesë e optimizimit të pozicionimit të KFOR-it dhe po zhvillohet me transparencë të plotë me të gjithë akterët e përfshirë, nën udhëheqjen e komandantit të KFOR-it, gjeneralmajorit Ulutaş.
“Ky proces do të jetë gradual, i bazuar në kushtet dhe i kthyeshëm nëse këtë e kërkojnë zhvillimet përkatëse të sigurisë”, ka thënë zyrtari i NATO-s për Telegrafin.
Ai ka bërë të ditur se procesi po koordinohet ngushtë me të gjithë akterët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, organizatat ndërkombëtare, Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.
Po ashtu, zyrtari ka thënë se edhe akterët lokalë janë angazhuar dhe informuar rregullisht për këtë proces, përfshirë Listën Serbe.
Sipas tij, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajori Ulutaş, është takuar më 11 gusht me përfaqësuesit e Listës Serbe, me kërkesën e tyre.
“Gjeneralmajori Ulutaş vazhdon të mbajë kontakte të ngushta me të gjithë homologët e tij kryesorë në institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë”, ka thënë zyrtari i NATO-s.



