“Nata e parë” e demokracisë shqiptare

Shkruan: Shkëlzen Halimi

Rrënimi i shoqërisë shqiptare që pluralizmin dhe demokracinë i kishte konsideruar si elemente çliruese, filloi atëherë kur nisi keqpërdorimi pikërisht i pluralizmit dhe demokracisë.

Fatkeqësisht, periudha e pluralizmit do të jetë periudhë e zymtë, periudhë e ngecjes. Ishte e pamundur që në demokracinë e xhunglës, ku mbijeton vetëm më i fuqishmi, të prodhohej diçka e mirë që do ta ushqente indin kombëtar. Shqiptarët që u ngjitën në pushtet, prodhonin vetëm politikë ditore që nuk vlente as si ushqim për gjallesat një-qelizore.

Nga ana tjetër, alarmi për krizën brenda shoqërisë shqiptare që moti ka filluar të jehojë. Por, janë vetë shqiptarët që çuditërisht nuk e dëgjuan atë zë, sepse ata që ishin ngulitur në pozitat udhëheqëse, politikën e kuptuan si instrument për realizimin e interesave personale e grupore. Pikërisht këta do të shquhen për veprime mesjetare.

Është e dhimbshme, por shqiptarët akoma nuk e kanë përjetuar “natën e parë” të demokracisë shqiptare, e cila vazhdon të përpëlitet midis ushejzave të droguara nga pushteti. Nga kujtesa shqiptare kanë ikur edhe ato ngjarje, përkatësisht pësime, prej të cilave duhej të nxirrnin mësime. Ikja zakonisht mbulohet nga harresa…

Gabimet e shumta do të jenë rrjedhojë e injorancës totale. Manifestimi në vazhdimësi i padijes tregoi qartë nivelin e mjerimit, nga i cili shqiptarët edhe shumë kohë nuk do të mund të dalin.