Naser Zyberi: S’kam koment për marrëveshjen LSDM-BDI

“Nuk kam koment”. Kjo është përgjigja e Naser Zyberit për marrëveshjen mes LSDM-së dhe BDI-së për qeverinë e re, që u prezantua një ditë më parë nga Zaevi dhe Ahmeti, shkruan gazeta LAJM. Zyberi nuk ka folur më tepër për qeverinë e re të cilën do ta drejtojë Zaevi, ndërsa në të do të merr pjesë edhe BDI-ja. A ndihet i mashtruar Naser Zyberi nga Ali Ahmeti? Kësaj pyetje, Zyberi refuzoi t’i përgjigjet. Naser Zyberi i cili para zgjedhjeve ishte shumë i hapur për mediat, kësaj radhe ishte fjalëpak. Mbase, përgjigja e tij e shkurtë flet shumë për mashtrimin e madh që iu bë atij dhe votuesve të tij menjëherë pas zgjedhjeve. BDI-ja në zgjedhjet e fundit fitoi 106 mijë vota me premtimin se do ta bëjë Naser Zyberin kryeministër, por një ditë më parë pranoi të bëhet pjesë e qeverisë së Zaevit, duke pranuar që postin e kryeministrit ta merr vetëm në 100 ditët e fundit të qeverisjes. Naser Zyberi edhe vetë ishte skeptikë kur BDI-ja shpalosi idenë për kryeministër shqiptar, por pasi pranoi ofertën e Ali Ahmetit, ai dukej më i bindur se kjo gjë ishte e mundur. Madje, gjatë fushatës improvizoi drejtimin e një seance qeveritare para godinës së Qeverisë në Shkup. Nëse do të ketë fatin që një gjë të tillë ta realizojë të paktën pas katër viteve, kjo nuk dihet. Emri i tij nuk u përmend fare gjatë prezantimit të marrëveshjes për qeverinë e re nga Zaevi dhe Ahmeti. /Gazeta LAJM

Gazetare: Senehate Nimani