NASA: Rusia ka korrur 5.8 milionë tonë grurë ukrainas në vitin 2022

Rusia ka korrur rreth 5.8 milionë tonë grurë ukrainas me vlerë rreth 1 miliard dollarë në vitin 2022, sipas të dhënave të publikuara nga agjencia amerikane e hapësirës (NASA), shkruan News 360.

Programi i NASA-s për sigurinë ushqimore dhe bujqësi, NASA Harvest, bazohet në të dhënat satelitore dhe modelimin e kryer në bashkëpunim me disa agjenci të lidhura.

Të dhënat sugjerojnë se rreth 26.6 milionë tonë grurë janë korrur në të gjithë Ukrainën këtë vit, dukshëm më i lartë se sa ishte parashikuar fillimisht.

Megjithatë, kjo shifër është më e ulët se korrja rekord e vitit të kaluar, kur u arritën 33 milionë tonë.

“Analiza tregoi se 5.8 milionë tonë grurë u korrën në zona që nuk ishin nën kontrollin e Ukrainës. Kjo përfaqëson një humbje prej të paktën 1 miliard dollarësh”, tha eksperti Abdolreza Abbassian.

Nga këto shifra, duhet të zbritet 22 për qind e grurit, i cili është rritur në pjesën lindore të vendit të kontrolluar nga Rusia.

Rënia e kërkesës globale për grurë dhe rritja e furnizimeve ndihmuan në stabilizimin e çmimeve botërore të grurit gjatë verës, tha Joseph Glauber, një këshilltar i NASA Harvest dhe studiues i lartë në Institutin e Kërkimit të Politikave Ushqimore.

“Por kjo nuk do të thotë se kriza e ushqimit ka mbaruar,” kujtoi Glauber.

“Çmimet ndërkombëtare të ushqimeve mbeten të larta sipas standardeve historike, tregjet mbeten të shtrënguara dhe luhatshmëria e lartë e çmimeve vazhdon, veçanërisht për grurin,” përfundoi ai.