Aktivistja iraniane për të drejtat e njeriut dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqen në vitin 2023, Narges Mohammadi, është dënuar me gjashtë vite burg nga një gjykatë në Iran. Lajmin e konfirmoi avokati i saj, Mostafa Nili, në një deklaratë për AFP.
Sipas mbrojtjes, Mohammadi është shpallur fajtore për “bashkim dhe bashkëpunim për kryerjen e veprave penale”, një akuzë që zakonisht lidhet me pretendime për komplot kundër shtetit. Përveç dënimit me burg, gjykata ka vendosur edhe ndalim daljeje nga Irani për dy vjet.
Avokati bëri të ditur se ndaj saj është dhënë edhe një tjetër dënim prej një viti e gjysmë burg për “aktivitet propagandistik”. Po ashtu, ajo do të detyrohet të qëndrojë për dy vite në qytetin Khosf, në provincën Jugore Khorasan, në lindje të vendit.
Mohammadi u arrestua më 12 dhjetor 2025 gjatë ceremonisë mortore të avokatit Khosrow Alikordi, i njohur për angazhimin e tij në mbrojtje të të drejtave të njeriut, i cili u gjet i vdekur në rrethana të paqarta. Prej javësh ajo mbahet në izolim në burgun e Mashhadit.
Së fundmi, aktivistja kishte nisur një grevë urie në shenjë proteste ndaj ndalimit që e konsideron të paligjshëm. Ajo kërkonte përmirësim të kushteve të paraburgimit, të drejtën për komunikim telefonik, takime me avokatët dhe lejimin e vizitave.
Narges Mohammadi ka kaluar edhe më parë periudha të gjata në burg. Ajo u nderua me Çmimin Nobel për Paqen për më shumë se dy dekada angazhim në mbrojtje të të drejtave të njeriut, me theks të veçantë në të drejtat e grave në Iran.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimit në Oslo, Nobelin e morën në emër të saj fëmijët binjakë, Kiana dhe Ali Rahman, atëherë 17 vjeç. Ata lexuan një mesazh që nëna e tyre kishte dërguar fshehurazi nga burgu i Evin-it, ku shprehej besimi se populli iranian do ta kapërcejë represionin dhe autoritarizmin.
© SYRI.net


