Napoli përgatit revolucion në sulm, synohet dyshja e Atalantës

Në Napoli po përgatiten për një revolucion në skuadër, pasi gjatë merkatos së verës pritet të largohen disa futbollistë si Koulibaly, Allan, Mertens e Lozano ndërsa me shumë gjasë edhe sulmuesi tjetër Arkadiuz Milik do të bëjë gati valixhet.

Pikërisht reparti i avancuar është ai që pritet të ndryshojë më së shumti, pasi De Laurentiis synon që pas largimit të Mertens dhe Milik, të hidhet në sulm për të afruar dyshen e Atalantës Iliçiç-Zapata, të cilët preferohen shumë edhe nga Gattuso.

Zikaltrit nga Bergamo janë gati të heqin dorë nga të dy sulmuesit vetëm në këmbim të një shifre rreth 60 milionë euro, para këto që te Napoli synojnë t’i arrijnë me shitjen e disa lojtarëve, ndërsa Iliçiç e Zapata do të kompletonin repartin e avancuar bashkë me kapitenin Insigne.

Dy sulmuesit e Atalantës prej 2-3 sezonesh luajnë në nivele mjaft të larta dhe kanë udhëhequr bergamaskët drejt suksesit në Itali dhe Europë, ndërsa për më tepër, janë njohës mjaft të mirë të kampionatit italian, ku luajnë prej vitesh.

Vlen të theksohet se kolumbiani Duvan Zapata ka qenë pjesë e Napolit në periudhën 2013-2015, kur në 37 ndeshje arriti të shënojë edhe 11 gola, por më pas erdhën 3 sezone huazim radhazi, pasi Maurizio Sarri nuk besoi te ai.