Nano Ruzhin: Mandatari pa vizion të qartë

Pas zgjedhjeve, shtetin e presin shumë sfida përfshirë të ardhmen e vendit, pozicionet në raport me çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe rrugët evropiane, vlerëson ish ambasadori Nano Ruzhin.

Për TVM2 ai thotë se për momentin, mandatari për formimin e qeverisë akoma sillet si opozitë dhe se nuk ka qëndrim shtetëror në raport me perspektivën evropiane

Sipas tij, teoritë e mjegullta se do të ndryshohet korniza negociuese, nuk e ndihmojnë shtetin dhe se do ta nxisin edhe fqinjin lindor të sillet me reagim, sikurse Greqia pas betimit të presidentes e cila evitoi në fjalimin e saj termin “Maqedonia e Veriut”.

“Edhe kryetarja e re edhe garnitura e re VMRO-DPMNE-së është para shumë sfidave, sepse së pari rrezikojmë të ndalemi në rrugën drejt BE-së nëse nuk miratohen amendamentet për preambulën, e dyta, nga ato sinjale që i shohim nga udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së dhe nga Presidentja, vërehet se ata nuk kanë ndërmend që në afat sa më të shpejtë të realizojnë një gjë të tillë, e treta, është interesante se si do të sillet VLEN gjegjësisht nëse ata do të kenë forcë të ndikojnë në sjelljen e përbërjes qeveritare. Sido që të jetë, rrezikojmë shumë, para së gjithash të mbetemi sërish të margjinalizuar dhe sërish të humbim disa vite në rrugën tonë evropiane. Gjithsesi se këtu na është bërë me dije se Shqipëria mund të ec një hap përpara, të tjerët gjithashtu dhe për fat të keq shpresoj se nuk do të na pres i njëjti fat sikurse me emrin, të humbim edhe 20 vite për çështje.”, tha ish ambasadori Nano Ruzhin.

Vendi ynë mbeti në udhëkryq në momentin kur në seancën parlamentare nuk u gjet vullnet politik për t’i votuar ndryshimet kushtetuese që kërkojnë votën e 80 deputetëve. Deri në implementimin e kushteve që dolën nga propozimi francez, Maqedonia e Veriut nuk do të mundet të ec përpara, rrjedhimisht, nuk do të mbahet konferenca e dytë ndërqeveritare e cila mundëson hapjen e kapitujve me Bashkimin Evropian.