Na zhgënjyet, nuk e filluat bile një kilometër të autostradës Shkup-Bllacë!

Servet Sulejmani
Po i shikoj rrugët e bukura që po ndërtohen në pjesën lindore të Maqedonisë. Sikur të jenë rrugë në Evropën Perëndimore, e jo në Ballkan. Hallall u qoftë. Punëtorit jepja dorën edhe nëse ja ke inati. Po mendoj për rrugët tona. Vaj medet për ne. Rruga Tetovë-Gostivar, tmerr. Rruga Shkup-Tetovë pak më e mirë. Rrugët në Çair katastrofë. Njësoj edhe në Tetovë.
Eu bre, pyes veten, a jetojmë në një shtet, apo në dy planetë të ndryshme?
Si more nuk mund t’i ndërtojnë rrugët nëpër të cilët lëvizin vetë. Rrugët nëpër të cilët lëvizin fëmijët e tyre, familjarët e tyre. Këta alamet patriota, që nuk u luan qerpiku nga armiku, ku i lanë paratë e rrugëve tona?
Si mundet ore edhe patriota edhe të vjedhin paratë e rrugëve tona. A keni dëgjuar diçka të tillë diku në botë, a jo?
Si nuk mundën ore ta ndërtojnë bile një kilometër të autostradës Shkup-Bllacë? Apo menduan se e kemi harruar. Aq qenkan të paaftë? Mbi dhjetë vite premtim. Nga njëqind metra t’i kishin ndërtuar çdo vit, në dhjetë vitet që kur e premtojnë këtë autostradë, do të ishte ndërtuar një kilometër. Po as nuk ja filluan.
E si t’i përkrahim pastaj, kur janë aq të paaftë. Si të ju besojmë sërish, kur na kanë gënjyer aq shumë. Të na kishin gënjyer dy herë e tre herë, hallall, por na kanë gënjyer me dhjetëra e dhjetëra herë.
Sinqerisht nuk mu ka besuar se do të kenë fytyrë të na dalin para dhe të na i përsërisin të njëjtat rrena, të zbukuruara dhe të zgjeruara edhe më tepër.
I kuptoj gënjeshtrat për centrale bërthamor, që nuk mund të realizohen. Po një autostradë 12 kilometra, kjo është katastrofë. Është nënçmim i qytetarëve që mezi presin ndërtimin e kësaj autostrade, si shpresë se do të ringjallen vendlindjet e tyre që gravitojnë aty afër.