Numri i rasteve pozitive me Covid-19 gjatë kësaj periudhe ka rënë, por jo edhe rastet e vdekjeve. Ulja e temperaturave dhe grumbullimet në hapësira të mbyllura do të ndikojnë negativisht në gjendjen epidemiologjike me Covid-19, thotë mjeku Zllate Mehmedoviq. Sipas tij përpara nesh ndodhet një vjeshtë dhe dimër i vështirë sa i përket situatës me Covid-19. Kjo vjen si pasojë e variantit Delta, i cili është më dominues dhe variant më virulent i virusit korona shton ai.
“Kjo është më se e pritur, e papritur do të ishte nëse do të ishte e kundërta, nëse nuk do të kishte rritje të rasteve të të infektuarve. Vala e re është realitet dhe duhet të jemi të përgatitur për atë që na pret. Mund të ketë edhe rritje të numrit të të hospitalizuarve, momentalisht shohim se situate epidemiologjike është stabile, se nuk ka presion nëpër spitale mirëpo kjo nuk domethënë se nuk do të ndryshojë situate, në periudhën në vijim”, tha mjeku Zllate Mehmedoviq.
Me pesimizëm Mehmedoviq konstaton se pa u arritur imuniteti kolektiv, nuk ka shpëtim nga variantet e reja të virusit corona që mund të vijnë në vendin tonë. Ai nuk shpreson se në një afat më të shkurt kohor mund të shihet fundi i pandemisë.
“Nëse vazhdon dominimi i variantit Delta me gjasa do të kemi një vjeshtë dhe dimër më të vështirë sesa vitin e kaluar, sepse është në pyetje një variant i virusit më përhapës dhe më virulent. Pa marrë parasysh se kemi rreth 38% popullsi të vaksinuar, vlerësoj se nevojitet vaksinim më i lartë që të arrihet pragu magjik prej 85% i imunitetit kolektiv, vështirë se mund të shpresojmë për të dalë nga pandemia”, u shpreh Zllate Mehmedoviq.
Në përkeqësimin e situatës do të ndikojnë edhe mitingjet që po zhvillohen në kuadër të fushatës zgjedhore, thotë mjeku Mehmedoviq.
“Këto janë ngjarje të mëdha epidemiologjike dhe çdo ngjarje e organizuar jashta protokolleve do të jetë rrezik shtesë për përhapjes e pandemisë. Apeloj te ata që bëjnë këto organizime të ngjarjeve të këtilla duhet të kenë kujdes posqërisht në protokollet që kontrollojnë transmisionin e virusit, që të mos eskalojë situata, pikërisht për shkak të sjelljes së këtillë”, shtoi mjeku Zllate Mehmedoviq.
Ndryshe deri dje janë vaksinuar 726.625 me dy doza, ndërsa 181 qytetarë e kanë marrë dozën e tretë. Sipas numrit të vaksinave të aplikuara, 38% e të gjithë popullsisë në vendin tonë janë vaksinuar, ndërsa 35% e popullsisë në vend kanë marrë dy doza vaksine kundër COVID-19, apo janë imunizuar plotësisht./TV21