Myftinia e BFI-së Strugë ka reaguar me një deklaratë zyrtare pas raportimeve mediatike për arrestimin e personit me iniciale D.R., duke sqaruar se angazhimi i tij si imam ka qenë i përkohshëm dhe i kufizuar vetëm për dhjetë ditë.
Sipas njoftimit, personi në fjalë ka ushtruar detyrën e imamit në fshatin Dollogozhdë nga 16 janari deri më 26 janar 2026, me karakter kalimtar dhe funksional, pas një kërkese të drejtpërdrejtë nga përfaqësuesit lokalë të xhamisë, me qëllim sigurimin e vazhdimësisë së faljes së namazeve.
Myftinia thekson se më 26 janar angazhimi i tij ka përfunduar zyrtarisht dhe që nga ajo datë ai nuk ushtron asnjë funksion apo mandat në kuadër të institucionit.
Në reagim nënvizohet se në momentin e angazhimit nuk ka pasur asnjë informacion zyrtar nga institucionet kompetente për procedura penale aktive, ndalesa ligjore apo dënime në fuqi që do ta pengonin këtë angazhim.
“Si institucion fetar, nuk posedojmë kompetenca hetimore dhe nuk kemi qasje në evidenca penale përtej atyre që komunikohen zyrtarisht nga organet shtetërore. Përgjegjësia për veprime eventuale të kundërligjshme është individuale dhe personale dhe nuk mund të transferohet mbi institucionin”, thuhet në deklaratë.
Myftinia e Strugës hedh poshtë çdo përpjekje për ta ndërlidhur rastin me institucionin, duke e cilësuar si të pabazuar dhe të pambështetur në fakte objektive.
Në fund, institucioni shpreh besim të plotë në organet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit dhe keqardhje që titulli “Imam” përmendet në një kontekst të tillë, duke theksuar se ky është një amanet shpirtëror e moral që nuk mund të njolloset nga veprimet e mundshme të një individi.





