Mustafa: Qeveria ka kamufluar gjendjen e jashtëzakonshme përmes Ministrisë së Shëndetësisë – ka uzurpuar shtetin

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Qeveria në detyrë nuk është qeveri e një shteti parlamentar.

“Është pritur që Qeveria në detyrë të segmentojë zonat e krizës dhe të rregullojë lëvizjen e qytetarëve në ato pjesë, sepse të gjithë jemi të interesuar ta mposhtim Pandeminë. Jo të kamuflojë gjendje të jashtëzakonshme në tërë territorin përmes Ministrit të Shëndetësisë”.

“Vendimet që Kryeministri në detyrë na i lexoi mbrëmë në “natën historike” përmes gojës së Ministrit të Shëndetësisë, janë shqetësuese. Ato kapërcejnë çdo kufi të një shteti demokratik.
Sipas këtyre vendimeve, qytetarët e Kosovës nuk janë qytetarë me të drejta të garantuara kushtetuese”, ka thënë Mustafa, transmeton Klan Kosova.

“Qeveria në detyrë nuk është qeveri e një shteti parlamentar. Ajo nuk po e respekton Kushtetutën dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Ministritë e caktuara janë bërë vet ligji. Deputetët, si përfaqësues të popullit, do të mund të shkojnë në Kuvend, vetëm kur ua lejon Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Ministrat e LDK-së mbesin anash.
Deputetët sot do duhej ta thonë fjalën e tyre. Jo për pako financiare. Por për uzurpimin e shtetit nga Qeveria në detyrë”.