Mustafa: Që nga vitet ’80, ka nisur fshirja e toponimeve shqipe nga tekstet shkollore

Profesori i gjuhës shqipe Avzi Mustafa, në emisionin “ZË”, në Gazeta “Lajm” dhe “Lajm TV”, ka deklaruar se çështja e gabimeve në tekstet shkollore nuk është problem i tanishëm, por i kahmotshëm, Sipas tij, ky fenomen ka filluar që në shekullin e kaluar, duke shtuar se janë detyruar që shumë toponime nga gjuha shqipe, t`i përkthejnë në gjuhën maqedone.

“Çështja e gabimeve në tekstet shkollore nuk është problem i tanishëm, por është i kahmotshëm, dhe kjo ka filluar që në shekullin e kaluar, saktësisht gjatë viteve të tetëdhjeta (1980), kur filluan që ndaj gjuhës shqipe dhe arsimit të shqiptarëve, të bëjnë atentat, së pari të fshijnë çdo gjurmë që kanë të bëjnë me shqiptarët nëpërmjet të toponomisë. Në atë kohë nga ne kërkohej që të përdoret ajo toponomi në të cilën është e evidentuar në dokumentet shtetërore të shtetit maqedon, ai parimi kryesor që është se një toponim duhet të përdoret ashtu, siç e thotë populli vet e jo të bëhet përkthimi, neve na detyronin që në atë kohë që shumë toponim të përkthehen nga gjuha shqipe në gjuhën maqedone”, bëri të ditur profesori universitar Avzi Mustafa.