Musliu për xhandarmërinë: Policia ka nevojë për uniforma e këpucë te reja, e jo për strukturë paralele

Ish-deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka reaguar pas nisjes së procedurave për themelimin e xhandarmerisë së Republikës së Kosovës.

Për këtë nismë, ka njoftuar sot ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por që Musliu ka hedhur kritika.

“Pas katër vitesh qeverisjeje me shumë zhurmë e pak rezultate, sot po na shitet edhe “Xhandarmëria” si sukses i madh. Kosova ka nevojë për shtet funksional, polici profesionale dhe institucione efikase, jo për iniciativa të nxituara që duken më shumë si spektakël politik para zgjedhjeve.”, ka thënë ajo.

Kandidatja për deputete edhe për një mandat ka thënë se siguria nuk ndërtohet me konferenca e postime në Facebook, por me strategji serioze, koordinim institucional dhe mbështetje për Policinë e Kosovës, e jo sipas saj, me krijim strukturash paralele për konsum ditor politik.

“Qytetarët sot kanë nevojë për vende pune, ulje të çmimeve, zhvillim ekonomik dhe siguri reale, jo për propagandë të re, nocione të reja dhe mashtrime të sofistikuara. Na duhen uniforma të reja për policët, këpucë të papërshkueshme nga uji, sigurime shëndetësore dhe jetësore për policë e ushtarë, si dhe paga të dinjitetshme, që policët e ushtarët të mos punojnë ditën policë, e natën kamarierë apo taksistë.”, ka deklaruar ajo. /Klankosova.tv