Musk bën thirrje për ‘shpërbërjen’ e BE-së: Sovraniteti duhet t’u kthehet vendeve individuale

Miliarderi amerikan Elon Musk ka bërë thirrje për “shfuqizimin” e Bashkimit Evropian, pasi Komisioni Evropian gjobiti rrjetin e tij social X.

“BE-ja duhet të shfuqizohet dhe sovraniteti t’u kthehet vendeve individuale, në mënyrë që qeveritë të mund t’i përfaqësojnë më mirë popujt e tyre”, shkroi Musk në X.

Postimi i tij me sa duket u pëlqye nga ish-presidenti rus Dmitry Medvedev i cili shpejt komentoi: “Pikërisht.”

Edhe Kirill Dmitriev, i cili kohët e fundit ka marrë pjesë në negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, kryesisht për çështje ekonomike dhe heqjen e sanksioneve të vendosura nga SHBA-të ndaj Rusisë pas pushtimit, reagoi gjithashtu.

Ndryshe, Komisioni Evropian vendosi një gjobë prej 120 milionë eurosh ndaj platformës X dje, për shkelje të detyrimeve të saj për transparencë sipas Aktit të Shërbimeve Digjitale (DSA).

Ndër shkeljet e gjetura ishin dizajni mashtrues i të ashtuquajturit “tick blue”, mungesa e transparencës në depozitën e reklamave dhe pengimi i studiuesve për të aksesuar të dhënat publike.

Raportohet se kjo nuk është përplasja e parë publike midis Musk dhe Bashkimit Evropian.

Miliarderi e ka kritikuar më parë procesin e përzgjedhjes së presidentit të Komisionit Evropian, duke e quajtur atë “jodemokratik”.