Musa Paçuku: Diaspora në Amerikë e gatshme të regjistrohet

Diaspora e Amerikës në mënyrë masovike do t’i përgjigjet apelit për tu bë pjesë e procesit të regjistrimit në Maqedoninë e Veriut. Disa bashkatdhetarë tanë veçmë e kanë kryer këtë obligim që në ditën e parë të fillimit të regjistrimit, deklaron për gazetën Lajm, Musa Paçuku, ish kryetar i Shoqatës Atdhetare “Dibra” në Nju Jork.
“Në të gjitha shtetet amerikane, në të gjitha qytetet, nga Nju Jorku, Nju Xhersi, Çikago, Boston, Los Anxheles, Klivlend, Dallas, e gjetiu, diaspora ka filluar të plotësojë formularet e regjistrimit. do të punojmë që asnjë shqiptar i Maqedonisë së Veriut të mos mbetet pa u regjistruar. Njëkohësisht jemi në kontakt me organizatat tjera atdhetare nga Europa Perëndimore, nga Kanadaja, e madje edhe nga Australia, që të gjithë të bëhemi pjesë e këtij procesi.

Paçuku apelon që shqiptarët të jenë bashkë në këtë proces, nga fillimi deri në fund, duke e pasur parasysh peshën që ka regjistrimi. Edhe përkundër disa problemeve teknike ditën e parë, Paçuku thotë se do të reflektojnë maksimalisht që në këtë proces diaspora të dalë faqebardhë.
“Falënderojmë koalicionin Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa që aq shumë po angazhohen për regjistrim sa më masovik të diasporës. Falënderojmë edhe BDI-në që iu bashkëngjit iniciativës së Aleancës dhe Alternativës, falënderojmë shoqatat joqeveritare, intelektualët, të gjithë që po japin kontributin e tyre të pamohueshëm”, thekson Paçuku.