Raporti i Komisionit Evropian për progresin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2024 është thuajse identik me raportin për vitin 2023, por në raportin e fundit ka përmirësim, pohon ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani.
“Ajo që është e mirë, sado e vogël, ka një tendencë të lehtë për t’u përmirësuar me përparimin. Nga viti 2019 deri në vitin 2023, të gjitha raportet kanë konstatuar se ka një regres në procesin, qoftë të harmonizimit, qoftë në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Kjo është e mira e këtij raporti, sado e vogël të jetë rritja apo përmirësimi, megjithatë tendenca është pak drejt përmirësimit”, tha Murtezani në “Top Tema”.
Sipas tij, mesazhi kyç është se me angazhim të duhur, përkushtim dhe seriozitet në zbatimin e reformave, raporti i vitit të ardhshëm mund të jetë edhe më i mirë.
Murtezani tha se komponenti më i rëndësishëm i agjendës evropiane është se ajo është një agjendë ambicioze, që duhet të përgatisë Ballkanin Perëndimor, në një rrugë të shpejtë, për anëtarësim të shpejtë në Bashkimin Evropian.
“Agjenda evropiane do të testojë në maksimum të gjitha kapacitetet tona. Si ato ekzistueset ashtu edhe gjithçka tjetër që duhet të ndërtojmë në të ardhmen për një zbatim sa më të mirë të agjendës së reformës. Është një operacion serioz që na jep detyra në lidhje me afatet dhe burimet financiare që lidhen me reformat mund të na vihen në dispozicion vetëm pasi reforma të jetë zbatuar me sukses, pasi të jetë vërtetuar se është zbatuar siç duhet dhe pas gjithë kësaj. Dokumentacioni do të çohet në Komisionin Evropian dhe do të vërtetohet se është kështu”.