Mungesë paracetamoli në Francë, ndalohet shitja online e këtij ilaçi

Qeveria franceze ka ndaluar shitjen online të produkteve me bazë paracetamoli nga sot deri në fund të janarit, për shkak të vështirësive me blerjen e këtij ilaçi kundër dhimbjeve.

Qeveria njoftoi në Gazetën Zyrtare se deri më 31 janar është pezulluar shitja onlajn e barnave të përbëra ekskluzivisht nga paracetamoli.

Vendimi është marrë për shkak të mungesës së vazhdueshme të barnave me bazë paracetamoli, veçanërisht për fëmijët, në gjashtë muajt e fundit, thuhet në kumtesë.

Gjithashtu thuhet se masat e marra nga autoritetet shëndetësore, edhe pse efektive, deri më tani nuk kanë arritur t’i japin fund plotësisht këtyre vështirësive të prokurimit.

Prej para disa muajsh, Agjencia Kombëtare e Sigurisë së Barnave u ka kërkuar farmacive franceze që të kufizojnë shitjen e paracetamolit tek individët.

Në dhjetor, ministria e Shëndetësisë e Francës paralajmëroi se pavarësisht masave, situata mbetet “komplekse” dhe do të duhen disa javë të tjera për t’u zgjidhur.

Në vendim, qeveria franceze vuri në dukje përkeqësimin e situatës shëndetësore në Kinë, ku numri i rasteve me koronavirus u rrit pas heqjes së papritur të masave drastike shëndetësore në gjysmën e parë të dhjetorit.

Qeveria kineze ka ndaluar eksportin e paracetamolit dhe vendi prodhon shumë nga përbërësit kryesorë të përdorur nga laboratorët në mbarë botën. Vështirësitë e furnizimit vijnë për shkak të mungesës së gjerë të disa ilaçeve në Francë dhe vende të tjera, duke filluar me antibiotikët si amoksicilina.