Lëvizjet dhe transferimet e fundit të mjekëve nga reparte të ndryshme, e institucione të ndryshme shëndetësore kanë prekur edhe ISHP Shtëpinë e Shëndetit” në qytetin e Kumanovës. Në një prononcim për TVM2, drejtori i këtij institucioni shëndetësor, Sedat Zulbeari, na njoftoi se një numër i konsiderueshëm i mjekëve të repartit të Ndihmës së Shpejtë, për shkak të specializimit janë detyruar të transferohen në Spitalin e Kumanovës, me çka vendet e tyre kanë mbetur bosh dhe pa zëvendësime.
“Kemi nevojë për mjek për tek reparti i Ndihmës së Shpejt, pasi që atje kohëve të fundit kemi disa lëvizje të mjekëve tanë që shkojnë në specializime dhe automatikisht transferohen në Spitalin e përgjithshëm të Kumanovës, andaj edhe do të na krijohet një zbrastirë”, theksoi, Zulbeari.
Zulbeari thekson se me patjetër duhet të hapen konkurse për punësime të reja dhe të plotësohen këto vende të zbrazëta.
“Mendoj që për momentin kemi nevojë për hiq më pak se 5 mjek në këtë repart me qëllim që ta plotësojmë minimumin e ndoshta edhe për më tepër. Me anë të këtyre iniciativave synojmë që ta rrisim cilësinë dhe efikasitetin e shërbimeve në institucionin tonë.”, shtoi mes tjerash Sedat Zulbeari.
Ndryshe, vlen të theksohet se në objektet e ISHP “Shtëpia e shëndetit” në Kumanovë, nëpër objektet e saj po kryhen një sërë investimesh në infrastrukturë.




