Mundësia e artë e Putinit në pandemi, viktimë edhe mediat

Rusia u bë të dielën vendi i dytë me numrin më të lartë zyrtar të rasteve me virusin korona në botë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në krye të listës.

Lajmi i zi vjen megjithëse ishin marrë një sërë masash efikase për frenimin e përhapjes së virusit, përfshirë një sistem digjital për transfermin e të dhënave me të cilin u kërkohet qytetarëve një kod që të lëvizin me makinë ose me transport publik nëpër qytet. Moska ka nisur zbatimin e kësaj mase prej pesëmbëdhjetë prillit, dhe javën pasuese 21 rajonet federale u raportua se dorëzuan aplikacione për të lansuar programin.

Abuzim në emër të shëndetit publik

Megjithëse sistemi i Moskës u përball me një sërë telashesh, përfshirë gabime teknike dhe radhë të gjata në metro, zyrtarët kanë lavdëruar programin si shtegdalje në luftën kundër përhapjes së shpejtë të virusit korona në qytet. Dhe më 17 maj Moska raportoi për më shumë se 142 mijë raste prej 280 mijë sosh sa i ka regjistruar deri tani mbarë Rusia. Dhe kryeqyteti vazhdon të jetë vatra kryesore e rasteve me infektime.

Përderisa masat më të ashpra ndaj virusit mund të jetë një zgjidhje zori por e mirëpritur, reagimi i paqartë qeveritar ndaj pandemisë ka bërë që aktivistët e të drejtave të njeriut të kritikojnë zyrtarët dhe Kremlinin se po i përdor këto masa ekstreme për të justifikuar ose për përshpejtuar zbatimin e praktikave autoritare të ëndërruar shumë kohë para se të shpërthente pandemia.

“Ka shqetësime serioze se një sistem për kontrollim të lëvizjes së qytetarëve të vet do të mbetet në praktikë edhe pasi të kenë përfunduar masat e karantinës”, ka deklaruar Dmitri Makarov, bashkëdrejtues i Grupit të Helsinkit për Moskë, një prej shoqatave liderë për monitorim të të drejtave të njeriut në Rusi. Këto masa mund të kufizojnë lirinë e lëvizjes, duke u thirrur në emër të sigurisë dhe luftës kundër sëmundjes ngjitëse. Megjithatë, aktivistët druajnë se të dhënat mund të përdoren nga autoritetet zyrtare për të ditur saktësisht vendndodhjen e gjithsecilit dhe të mësojnë se kush me kë u takua. “Ka rrezik të madh edhe kjo punë”, ka shtuar ai, “sepse të dhënat do të përdoren për të luftuar pakënaqësinë ose për t’iu shitur kriminelëve kibernetikë në tregun e zi”.

“Mundësi e artë” për Putinin

Makarov ka vërejtur gjithashtu se sistemet e drejtësisë dhe të ndëshkimit mund të përdoren në rrethana të jashtëzakonshme si justifikim për të konsoliduar pushtetin dhe kontrollin mbi qytetarët në emër të autoritetit të tyre. Kjo ka përfshirë kufizimin e mundësisë së të burgosurve për të raportuar kushtet e pasigurta të burgosjes pa njoftuar të afërmit. Grupet për të drejtat e njeriut, si “Rusia prapa grilave”, normalisht publikojnë ankesat që i marrin nga njerëzit brenda sistemit penal, por së fundmi janë nën presion të madh për të mos i nxjerrë për shkak të ligjeve të reja kundër nxjerrjes së informacioneve të rreme, sikur thuhet në ligj, lidhur me virusin. Këto rregulla, të zbatuara që nga marsi dhe që përfshijnë edhe ndëshkime me burg për përhapje të “lajmit të rremë”, janë jashtëzakonisht shqetësuese meqë mund të përdoren për censurim dhe ndëshkim për ata që sfidojnë të dhënat dhe shifrat zyrtare.

Ligji ka shtyrë njërën prej gazetave të pavarura kryesore në vend për hulumtime, “Novaya Gazeta”, të tërheqë një shkrim të kohëve të fundit lidhur me hulumtimin e masave kundërthënëse në Çeçeni, një rajon historikisht i cenueshëm në jug të Rusisë. Autorja e shkrimit, Yelena Milashina, e cila kishte sjellë shkrimin për kampet e dyshuara të përqendrimit të homoseksualëve më 2017, pretendonte se njerëzit druanin t’i raportonin shenjat nga frika se mund të etiketoheshin si terroristë. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm nxori një urdhër për ta tërhequr shkrimin, duke cituar ligjin për lajmet e rreme, dhe Ramzan Kadyrov, lideri i Çeçenisë, kërcënoi Milashinas dhe gazetën. Kadyrov ka thënë më parë edhe para mediave se shkelësit e karantinës duhet të vriten.

Luftë speciale kundër mediave perëndimore

Pasojat e ligjit për lajmet e rreme mund të shtrihen edhe përtej kufijve të vendit. Javën e kaluar zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, pretendonte se deputetët i kanë kërkuar Ministrisë t’ua marrë akreditimin gazetarëve të “New York Times” dhe “Financial Times” për shkak të mënyrës së raportimit për raportimin zyrtar të Moskës për numrin e ulët të vdekjeve të lidhura me virusin korona. Zakharova ka thënë se kjo do të ishte masë e pazakonshme, porse “hapat e mëtejshëm do të varen prej asaj se a do të tërheqin shkrimet”.