“Mund të luajnë së bashku”, Batistuta për Lautaro Martinez dhe Julian Alvarez

Legjenda e Argjentinës, Gabriel Batistuta, beson se Lautaro Martinez i Interit dhe Julian Alvarez i Atletico Madridit mund të luajnë së bashku për kombëtaren Albiceleste në Kupën e Botës 2026, por njëri prej tyre do të duhet të ndryshojë stilin e lojës që partneriteti të funksionojë.

Kombëtarja e Argjentinës ka pasur gjithmonë sulmues të kalibrit botëror dhe njësoj është situata edhe tani me yje si Lautaro dhe Alvarez, të cilët janë partner të Lionel Messit.

Kështu, trajneri Lionel Scaloni mund të ketë kokëdhimbje se cilin ta zgjedh si titullar, por një ide ia ka thënë edhe njëri nga sulmuesit më të mirë në histori të kësaj kombëtare, Batistuta.

“I dua të dy. Është një problem i mirë për Scalonin. Nuk e di se si do ta bëjë zgjedhjen. Të dy luajnë, shënojnë gola, bëjnë presion, e mbajnë topin dhe e pasojnë. Nuk shoh ndonjë ndryshim”, ka thënë fillimisht Batistuta.

“Për më tepër, të dy janë liderë për ekipet e tyre përkatëse dhe, vetë, mund ta vënë në telashe mbrojtjen kundërshtare”.

“Ndoshta mund të luajnë së bashku, por duhet t’u kërkohet. Nga jashtë, duket kështu”.

“Por në këto raste, njëri duhet të sakrifikojë më shumë se tjetri, duke u detyruar të largohet nga zona e tij e rehatisë dhe të luajë për tjetrin, por nga jashtë, duket se ata mund të luajnë së bashku”, përfundoi legjenda argjentinase.