Orhan IBRAHIMI
“…këte e them, sespse llogarisë se ne jemi shqipëtarë dhe s’jemi jugosllav, ne jetojmë në territorin shqiptar dhe jemi të okupuar nga Jugosllavia dhe për këtë mendojmë se do të çlirohemi…”
Niçe, te Antikrishti, kishte pohuar se këtë libër ia dedikonte gjeneratave që do të vinin pas disa shekujsh, sepse besonte se bashkëkohësit e tij nuk do të ishin në gjendje ta kuptonin e ta zbërthenin.
Edhe unë besoj thellë se Muharrem Shaljani ka lindur në kohën e gabuar, në një kohë si kjo e jona, ku mbizotëron injoranca, improvizimi, amoraliteti, djallëzia, pabesia, hipokrizia, gënjeshtra dhe hajnia.
Ti do të duhej të jetoje tre apo katër shekuj më vonë, në një epokë kur ndoshta njerëzimi, e sidomos shoqëria shqiptare, do t’i afrohej më shumë personalitetit, shpirtit, vetëdijes dhe ndërgjegjes sate kombëtare.
Gjatë gjithë rrugëtimit jetësor, për dekada të tëra, ishte pa strehë mbi kokë. E, kur nuk kishe si ta mbaje e ta ushqeje familjen, u detyrove të bredhësh qyteteve të ish-Jugosllavisë, shteteve të Evropës e deri në Amerikë. U detyrove të punoje nga punët më të rënda fizike.
Por edhe në këto rrethana nuk u ligështove, qëndrove i palëkundur dhe punove pa asnjë hezitim për kauzën. Në këto kushte të vështira ekonomiko-sociale, gjeje forcë, durim dhe kohë për të na dëgjuar ne, teksa ankoheshim për vështirësitë tona, ndonëse ishim në rrethana shumë më të volitshme se ti.
Kurrë, asnjëherë, absolutisht kurrë, me gjithë këto peripeci dhe me gjithë golgotën jetësore që kishe përjetuar, nuk të kam dëgjuar të ankoheshe për asgjë materiale për veten tënde. Përkundrazi, ishe ai që jepte energji, mobilizim dhe forcë, duke i bërë edhe çastet më të vështira e më të rënda të dukeshin me rrugëdalje.
Atyre që nuk kanë pasur rastin të jenë pranë Mujës, u ka mbetur dhe u mbetet mundësia ta njohin, t’i shohin tiparet e tij dhe ta prekin realitetin e rrugës që ai ka ndjekur në jetë, duke lexuar librin “DOSJE”.
Një libër që përmban rreth 1500 dokumente, të përpiluara nga ish-UDB-ja.
Aty kemi mundësinë të shohim çmendurinë e shtetit sllav: urdhra për hapje dosjesh, duke i emërtuar si në rastin e Mujës: “GËRMIA”, “JURISTI”, “BADEN”; urdhra për ndjekje, përcjellje e përgjim; inskenime, instalim të teknikës së përgjimit në ambientet ku Muja ka jetuar; fotografime, shantazhe, dhunë, analiza të “ekspertëve” të UDB-së, etj.
Dhe askush më mirë se vetë autori, Muharrem Shaljani, nuk e ka përkufizuar punën djallëzore dhe antishqiptare të UDB-së:
“Këto dokumente, më së mirë se çdo shkrim tjetër e demaskojnë UDB-në jugosllave, si një ndër shërbimet me famëkeqe në botë për ndjekjen, keqtrajtimin, burgosjen dhe vrasjen e veprimtarëve shqiptarë.”
“Këto dokumente po i botoj pa komente, edhe pse ka nevojë për disa shpjegime, sidomos që kanë të bëjnë me të pavërtetat e bashkëpuntorëve të pushtuesve, të cilët krahas shërbimit që u bënin atyre, shpesh shpifnin, për t’i rënduar edhe më shumë atdhetarët shqipëtarë.”
Kur ti ishe i organizuar me rezistencën, kur përjetoje vuajtjet në kazamatet sllave dhe mbartje mbi supe brengën për çështjen shqiptare, fatkeqësisht në atë kohë një pjesë e madhe e shqiptarëve nuk i njihnin rrënjët e tyre, madje disa regjistroheshin si turq, boshnjakë apo arabë, vetëm e vetëm që të mos deklaroheshin si shqiptarë.
Pikërisht në ato rrethana, kur inkuizicioni mbi shqiptarët ishte në kulminacion, ti kishe guximin, kurajon dhe dijen për të gjetur shtigje për t’iu bashkuar organizimeve revolucionare shqiptare.
Në përpilimin dhe ndërtimin e dosjes së Mujës, përveç “ekspertëve” sllavë të UDB-së, të cilët bartnin një traditë dhe përvojë gati dy shekullore, pjesë ishin edhe disa “ekspertë” shqiptarë të punësuar në këtë shërbim. Ata e kryenin punën me plot përkushtim, zell e “kreativitet”.
Së bashku kjo kategori “ekspertëve”, për vite e dekada kishin rekrutuar, përgatitur e shantazhuar, duke klasifikuar shqiptarë nga të gjitha shtresat shoqërore për t’i shndërruar në bashkëpunëtorë të tyre.
Sojin e tillë, në dosjen e Mujës, e shohim duke kryer punët më të ndyra, ata i ishin ngjitur si hije pranë tij.
Mbanin pseudonime nga më të përçudshmet, të caktuara nga UDB-ja: “MIBE”, “BISER”, “MORINA”, “MUAREM”, “NINI”, “EKONOMISTI”, “TERGOVEC”, “KARADAK”, “POSHTATAR”, “DASKALL”, “RA”, “TAPETAR”, “SABA”, “NOVINAR”.
Të gjithë këta, dhe shumë të tjerë, ishin në shërbim 24 orë, duke kryer detyra që mendja e shëndoshë vështirë se mund t’i mendojë.
Detyrë mbi detyrat ishte ta shëmtonin personalitetin tënd, dlirësinë të pashoq që e kishe, e shtrembëruan, duke ta veshur petkun e njeriut naiv; solidaritetin që e shpërndaje në çdo hap të jetës e në çdo vend ku shkele, e quajtën shenjë të një shpirti të pasocializuar; ndërsa dijet e dituritë që i mblodhe ndër dekada studimi e pune, kurse shpirtin e kishe fisnikëruar duke jetuar mes librash, udbashët të shpallën si mbetje të një kohe të shkuar, duke të quajtur anakronik.
UDB-ja e përcillte në çdo hap që nga fillimi i viteve 1970, pjesë nga dosja:
“Burimi: bashkëpunëtori MIBI
Takimi u mbajt më 11.04.1976 në natyrë. Raporti është përpiluar më 19.04.1976.
…në fillim foli për demonstratat e studentëve të Kosovës dhe të Tetovës të vitit 1968 të cilët në tërësi i përkrah duke thënë se ishin të organizuara për të drejtat e shqiptarëve dhe demonstratat ishin të domosdoshme…
-Vlerësimi i punëtorit operativ
…bashkëpuntori është aktivizuar tash, të cilit iu dhanë edhe disa detyra konkrete:
të takohet përsëri me Muharremin, që të sqarohet për disa gjëra, p.sh. çfarë përveç gazetës së ndaluar “Shqipëria e Re”, lexon Muharremi.
të studijoi rrethin, kush janë shokët më të afërt të tij në Maqedoni dhe në përgjithësi…;”
“Burimi: bashkëpunëtori MIBI
Takimi u mbajt më 18.06.1976 në restorantin Gërmia në Prishtinë.
Komenti i pontorit operativ:
…kemi të dhëna operative se te ai ruhet fotografia e Enver Hoxhës, harta gjeografike e Shqipërisë së Madhe, e poashtu në një mënyrë ishte pjesëmarrës në shpërndarje të afisheve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1974…”
Qëndrimi i tij nuk ishte thjesht një vendim, por një akt vetëdijeje dhe përgjegjësie ndaj vetes, familjes dhe kombit.
Ai u bë pjesë e një përpjekjeje që kërkonte sakrificë, përkushtim dhe besim të palëkundur. Nga ai moment, nuk mendoi më vetëm për veten, por u flijua dhe sakrifikua deri në frymën e fundit për një ideal më të madh, për një të ardhme ku shqiptari do të jetonte me dinjitet dhe në liri, derisa të gjitha territoret e okupuara të bëhen Shqipëri.
Shqipëri – sa shumë ishte i lidhur me këtë emër, e ndjente si rrallë kush. Ëndërronte dhe frymonte për të.
Vajzën e kishte pagëzuar me emrin Zamira. Zërin e ëmbël dhe tingëllues të Zamira Kolecit, e kishte dëgjuar për dekada në Radio Tiranë.
Zëri i Zamirës ishte zëri i Shqipërisë dhe, për këtë arsye, vajzës së tij ia vuri këtë emër.
Ndërsa djemtë mbajnë emrat Adriatik dhe Hekuran. Me këta emra të fëmijëve, ai ndjehej i plotësuar, Shqipërinë e përjetonte në çdo çast.
Për këtë arsye, UDB-ja ishte jashtëzakonisht e interesuar për figurën e Mujës. Qëndrimi i saj ishte që ai të ndiqej hap pas hapi dhe të përcillej vazhdimisht: gjatë studimeve, në vendin e punës, gjatë shërbimit ushtarak, në burg, si punëtor krahu në qytetet e ish-Jugosllavisë, si dhe në emigracion.
“Evidenca Nr. 44
Kumanovë 18.01.1978
Shkresë Zyrtare:
…POO “Gërmia” – të vehemi në kontakt me organe të sigurimit të armatës jugosllave në Nish, në lidhje me Gërmia dhe të merremi vesh për këto detyra:
të vërtetohet rrethi i lidhjeve, kontaktet dhe vizitat të cilat Gërmia i pati deri sa gjendej në shërbimin ushtarak,
të bëhet kontroll i korrespondencës deri në kryerjen e afatit ushtarak,
të studiohet mundësia masa bastisja e fshehtë e shkafit të Gërmisë që të zbulohet korrespondenca, të fotografohen të gjitha dërgesat, të regjistrohen të gjitha librat që i posedon…
…kodoshi MIBI me datën 29.01.1987 me ndihmën tonë u dërgua që të kontaktojë me Gërmia në Nish të Serbisë. Edhe pse Muharremi kishte ndalim për të dalë në qytet, ai, megjithatë, doli duke kërcyer mbi tela të murit të kazermës “Proleterske brigade”, saqë gati tërë ditën ishim së bashku, ku shkëmbyem ide dhe biseda në lidhje me grupin ilegal që ekzistonte…”
Gjatë bastisjes, arrestimit, hetimit dhe gjykimit, qëndrimi i Mujës ishte i paparë, ai qëndroi si një shkëmb graniti, i pathyeshëm në bindjet e tij.
Përmes shkresave të UDB-së do ta shihni këtë kolos:
“…Evidenca: Nr. 107
Kumanovë: 04.02.1980
Shkresë Zyrtare:
…më 4 shkurt 1980 në shtëpinë e OO Juristi në Likovë, si dhe në banesën e përkohshme në rrugën “Abdulla Presheva” nr. 9 Kumanovë, u bë bastisja…
Në shtëpinë e titullarit OO Juristi në Likovë, iu morën 15 libra të botuara në Shqipëri, 3 numra të revistës “Shqipëria e Re”, numër i madh letrash dhe panormash, disa pllaka gramafoni nga Shqipëria, disa kaseta etj…
Evidenca Nr. 159/31030.1980
Disa momente më të rëndësishme të procedurës hetimore të deritanishme kundër Muharrem Shaljanit, Gani Sylës dhe Haxhi Maliqit
…në bazë të kallëzimit penal dhe me aktvendimin e gjykatësit hetues pranë gjykatës së qarkut në Shkup të 07.02.1980, u ngrit procedura hetimore me përdorimin e masës arrestim kundër Muharrem Shaljanit, Gani Syla dhe Haxhi Maliqi, sepse ekzistojnë dyshime të bazuara se kryen vepra penale bashkim për veprimtari admiqësore…
…dhe u kthye në drejtim të gjykatësit me këto fjalë: duhet të them shoku gjyqtar se territoret shqiptare të cilat janë të okupuara nga Jugosllavia, do të çlirohen. Këte e them, sepse llogarisë se ne jemi shqipëtarë dhe s’jemi jugosllavë, ne jetojmë në territorin shqiptar dhe jemi të okupuar nga Jugosllavia dhe për këtë mendojmë se do të çlirohemi…
…Gani Syla: unë nuk pranoj gjyqin jugosllav, unë pranoj vetëm gjyqin e popullit tim, nuk dola këtu që të jap llogari, por që të kërkojë… Në vazhdim tha: populli shqiptar i cili gjatë historisë gjithnjë ishte nën robërinë e dikujt dhe tash ai popull në jogosllavinë titiste gjendet nën robëri…
…gjykimi i pandehurve zgjati nga 1 deri 3 korrik të vitit 1989, dhe mbaroi me shpalljen fajtor në bazë të aktgjykimit u denua me 5 vjet, Gani Syla me 6 vjet dhe Haxhi Maliqi me 3 vjet burg…
…në lidhje me reagimet e Haxhiut pas shqiptimit të aktgjykimit për çka na informon se është i gëzuar se edhe mëtej ngel në të njejtat mendime, se ata kanë edhe persona të tjerë në liri, të cilët do të vazhdojnë luftën për çlirim…
Burimi: ADAM
Shkup: 10.09.1980
Shënim Zyrtar:
…kodoshi Adam kërkoi kontakt të shpejtë me qëllim që të më informojë se më 09.09.1980 në orët e pasditës në prani të tij Haxhiu, Muharremi, Ganiu, Bekteshi dhe Abedini, u morën vesh që këto ditë të shkruajnë letra anonime deri te udhëheqja e burgut të Idrizovës…
Evidenca: Nr. 67
Shkup: 07.02.1984
…përcjellja u realizua më 04.02.1984. Nëpërmjet masës së përdorur përcjellje u ftuan këto të dhëna:
04.02.1984
Puna filloi në ora 7 e 30.
Në ora 8 e 45 Shaljani doli nga oborri i SHDP “Idrizovë”, duke mbajtur në dorë një çantë udhëtimi dhe shkoi në parkingun para burgut dhe priti dikë. Në ora 9 e 25 në parking erdhi makina me targa Ku:324-44 me shoferin, një person mashkull dhe një i ri rreth 15 vjeç. Këtu nga makina doli shoferi i cili ishte burrë dhe u përshëndet me Muharremin përzemërsisht dhe u përqafuan…”
“…Depeshe – e shifruar
Nr.2382 – Data 9.09.1988
Aksioni: Serava 88
…Muharrem Shaljani – i lindur më 1951, jurist i diplomuar, i pa punë, është nga Likova, u denua me 60 ditë burg…
…ishte në radhët e para të demonstrantëve afër derës së komitetit. Këtu qendroi deri në fundin e bisedimeve dhe pastaj përsëri në mes të parëve shkoi me të tjerët në demonstrata nëpër rrugët e Kumanovës në drejtim të “Lagjes së Trimave”…”
Kur them se Muja ishte një kolos, e them me bindje të thellë, sepse, mjafton të shihen vendimet, qëndrimet dhe mendimet e tij për të gjitha ngjarjet dhe dukuritë që ndodhën në atë kohë.
Shihni, për shembull, qëndrimin e tij ndaj demonstratave të vitit 1981:
“Evidenca Nr. 172
Kumanovë: 02.03.1984
Burimi: kodoshi BISER
…Haxhiu tha: Muharrem Shaljani demonstratat e vitit 1981 i cilësoi si gjëra me vlerë të pallogaritshme dhe me rëndësi kolosale për popullin tonë…”
Mua kjo deklaratë më ngjason shumë me deklaratën e një kolosi tjetër, eruditit Ukshin Hoti:
“Viti 1981 është nyja, zbërthimi i së cilës e mundëson lëvizjen e drejtë të gjërave dhe të proceseve… Vitet tjera nuk ndryshuan historinë, ato i ndihmuan zhvillimit të historisë… Vitet tjera i ndihmuan akumulimit të proceseve, rritjes së kuantitetit. Por kërcimin kualitativ, vetë shndërrimin e kuantitetit në kualitet, e bëri vetëm viti 1981.”
Në këto qëndrime dhe vizione shohim qartë dallimin e madh mes këtyre kolosëve dhe atyre kolaboracionistëve, titistëve dhe jugonostalgjikëve.
Këto mbetje, në një variant më të butë, demonstratat e vitit 1981 i cilësojnë si anakronike dhe të panevojshme. Ata pothuajse asnjëherë nuk i përmendin demonstratat e vitit 1968 dhe nuk e shohin kontinuitetin e organizimeve të mirëfillta shqiptare.
Viti 1981 e përshpejtoi shpërbërjen e Jugosllavisë dhe prodhoi pasoja të rëndësishme politike për shqiptarët.
Pas shpërbërjes së Jugosllavisë komuniste, shqiptarët dhe territoret e tyre, tashmë të ndara, u përballën me një copëtim edhe më të thellë. Nga një hapësirë e përbashkët, shqiptarët përfunduan duke jetuar në katër shtete të reja “sovrane”.
Në këto rrethana u krijua edhe shteti i “Ri” i Maqedonisë, një republikë, themelet e së cilës ishin vënë nga sllavët e jugut, me urdhër të satrapit, diktatorit dhe antishqiptarit Tito, pas Luftës së Dytë Botërore.
Në këtë realitet të ri, që në shumë aspekte ngjasonte me të kaluarën, me robërinë dhe diktaturën jugosllavo-komuniste, fati i Mujës mbeti, me pikë e presje, i njëjtë. Vazhdoi ndjekja dhe survejimi ndaj tij nga “shteti i ri”. Ndryshimi ishte më tepër në formë sesa në përmbajtje: shteti tashmë ishte i veshur me një tjetër “kostum”, kishte pranuar “pluralizmin politik”, ndërsa slogani i dikurshëm “bashkim-vëllazërimi” midis maqedonasve dhe shqiptarëve ishte zëvendësuar me termin e ri “bashkëjetesë”.
Sindroma e sllavëve të jugut vazhdoi edhe më tej:
“…Evidenca Nr. 263
Kumanovë: 09.04.1992
Burimi: TIHO
…na informoi se kuptoi se mitingu protestues i shqiptarëve nga Kumanova para qeverisë së Maqedonisë, i caktuar nga PPD, u shty nga qendra e PPD, Tetovë…
…me kërkesën tonë që të bëhet spiun yni, tentoi që të futet te këshilli i punësuarve të arsimit në Kumanovë, u afrua te POO Baden…”
“…Evidenca Nr. 245
Kumanovë:
Burimi: TIHO
…na njofton se Muharrem Shaljani siguroi vizë për qendrim për në Amerikë në kohëzgjatje për 3 muaj…”
Nga ky raport i fundit shihet se Muja ishte pajisur me vizë për SHBA. Ashtu siç kishte planifikuar, ai u vendos atje. Edhe pse jetonte larg, mendjen dhe shpirtin i kishte në vendlindje. Për asnjë moment nuk u shkëput nga aktivitetet patriotike, ishte gjithmonë i informuar në kohë për të gjitha rrjedhat politiko-patriotike të shqiptarëve.
Në fund të vitit 1998, ai erdhi për vizitë në vendlindje. Që në ditët e para vizitoi dhe u çmall me të gjithë miqtë dhe shokët e tij.
Nga SHBA-ja kishte përgatitur një listë të gjatë me emra shokësh që kishin vuajtur në kazamatet sllave. Kishte planifikuar t’u dhuronte nga 100 dollarë, ndërsa disa më të veçantëve, nga 200 dollarë. Ashtu edhe veproi, nuk kishte njeri që mund ta ndalte, edhe pse vetë ai me familjen jetonin me qira dhe nuk kishin kulm mbi kokë.
Gjatë atyre ditëve takoheshim shpesh me Mujën nëpër Kumanovë, por vendtakimi ynë i zakonshëm ishte lokali “Veranda”.
Një ditë ishim dy shokë në tavolinë kur erdhi Muja dhe u ul me ne. Si gjithmonë i drejtpërdrejtë, na tha se kishte vendosur t’i dhuronte 500 dollarë për UÇK-në.
“Jam i sigurt se ju keni lidhje se ku mund të dorëzohen paratë, andaj merrni ju dhe i dorëzoni në vendin e duhur,” – tha ai.
Ne refuzuam, sepse mendonim se Muja borxhin ndaj atdheut e kishte shlyer si askush tjetër dhe, në gjendjen sociale që ishte, nuk duhej të brengosej për financat e luftës.
I thamë jo, por ai na u përgjigj me një buzëqeshje të lehtë, sikur të na thoshte se e kishim kuptuar mesazhin.
Të nesërmen, në të njëjtin lokal, Muja ishte ulur me një tjetër shok. Pa hezitim shkova dhe u ula me ta. E kuptova se bisedën për donacion e paska vazhduar. Ne shokët kishim njëfarë dileme për personin që ishte me të, pasi kishim dilema për pastërtinë e tij ndaj lekut. Prandaj, me pak ndërhyrje, arrita ta largoj vetëm Mujën nga ajo tavolinë.
Më pas e takuam sërish shokun tjetër, Muja mbeti i palëkundur në vendimin e tij për ta dhënë kontributin. Ishte i jashtëzakonshëm dhe këmbëngulës në synimet e tij.
Më në fund u dorëzuam: ia pranuam dhe ia dhamë fletë-dëshminë në emër të UÇK-së për 500 dollarë.
Saga e Mujës nuk mbyllet këtu.
Ai u kthye sërish në SHBA, pas një qëndrimi në vendlindje, për t’u rikthyer përfundimisht nga atje në vjeshtën e vitit 2001.
Për shkak të natyrës së tij rebele, ishte krejt e natyrshme që, sapo arriti në vendlindje, të përfshihej në flakët e luftës. Nuk ka asnjë dilemë se kjo ishte shtytja kryesore që e kishte shtyrë drejt kthimit.
Ai besonte fuqishëm se kishte ardhur dita që shqiptarët të jetonin në një shtet të vetëm – në Shqipëri.
Mbylljen e konfliktit me Marrëveshjen e Ohrit e përjetoi me zhgënjim të thellë.
Pa hezitim, Muja iu bashkua grupit që nuk e pranoi rezultatin përfundimtar të konfliktit.
Ishte një nga pjesëmarrësit kryesorë në betejën e fshatit Brezë.
Më pas, u vendos në qytete të ndryshme të Kosovës, ku qëndroi deri në fund të vitit 2004, për t’u kthyer në Kumanovë deri më 23.03.2026.
E këndej, në emër të kontributeve të tua dhe të pak shokëve si ti, plejadës sate idealiste, u amnistuan, u ringritën, u riformatuan dhe u graduan me poste e ofiqe shtetërore, pikërisht ata që dje ju kishin ndjekur, burgosur e persekutuar.
Shefi i “lirisë dhe demokracisë” shqiptare u kujdes që t’i instalojë ish-udbashët, kodoshët, sahanlëpirësit e sllavëve, hafijet, hajnat, banditët e narkodilerët apo pinjollët e tyre si “klasë politike dhe intelektuale”: deputetë, ministra, kryetarë komunash, drejtorë, prokurorë, gjykatës, gazetarë e analistë, punëtorë të arsimit dhe kulturës, afaristë, biznesmenë e milionerë.
Nëse saga e Mujës u mbyll pa e përjetuar Shqipërinë, saga e shqiptarëve vazhdon për ta bërë Shqipërinë…
Po munde, na fal, Mujë, nga bota e amshimit!
Që ne, si shoqëri shqiptare, asnjëherë, në asnjë etapë kohore, kur ti kishe nevojë, nuk u gjendëm pranë teje.
Lavdi jetës dhe veprës tënde, Mujë!



