Ish-gazetari Muhamed Ajeti, në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, thotë se edhe nëse partitë maqedonase mbështesin Bilall Kasamin, ose jo, ai do të jetë fitues.
Ajeti më tej thekson se nëse Kasami e ruan bazën e vet elektorale, mund të fitojë edhe pa mbështetjen e VMRO-së.
“Në garën mes Bilall Kasamit dhe Bajram Rexhepit, epërsia prej rreth 4 000 votash që Kasami ka në raundin e parë është e konsiderueshme dhe e vështirë të përmbyset pa ndërhyrje të “jashtme”. Nëse ai ruan bazën e vet elektorale, mund të fitojë edhe pa mbështetjen e VMRO‑së, duke e bërë fitoren e tij të perceptohet si “e pastër shqiptare””.
“Nëse VMRO ose “LEVICA” mbështet Bajram Rexhepin, ai ndoshta mund të përfitojë numerikisht, por politikisht do të dëmtohej, sepse mbështetja maqedonase do të shihej si ndërhyrje në garën shqiptare. Kjo do t’i jepte Kasamit avantazh moral dhe do ta forconte narrativën e tij si kandidat që përfaqëson vullnetin e pastër të votuesve shqiptarë”.
“Nëse VMRO qëndron neutrale, Kasami ka gjasa të ruajë epërsinë dhe të fitojë me legjitimitet të plotë. Përkundrazi, një fitore eventuale e Bajram Rexhepit me ndihmën e VMRO‑së dhe Levices do të mbetej e kontestuar dhe do të perceptohej si e varur nga votat maqedonase, duke humbur karakterin e “fitores shqiptare”, gjë që nuk do te ishte diçke e re per koalicionin te cilin ai perfaqeson”, ka shkruar Ajeti.
Më tej ai thekson se sido qe të kombinohen gjërat, Bilall Kasami del fitues, sepse mosmbështetja eventuale nga partneri i koalicionit, me vetëdije apo pa të, nuk do të dëmtonte atë, por përkundrazi, do të fuqizonte disponimin e elektoratit për të dalë në vendvotime dhe votuar atë.






