Në kuadër të vizitës së tij të punës në Uashington, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, u takua në Departamentin e Shtetit me ndihmës sekretarin shtetëror të SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Andrju Stou.
Nga MPJTJ njoftuan se në takim u diskutuan arritjet në 30 vitet e fundit që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së, partneriteti strategjik, bashkëpunimi politik dhe sektorial, si dhe potenciali për thellimin e tyre të mëtejshëm.
“Bashkëbiseduesit konfirmuan së bashku marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe miqësore, të bazuara në vlerat e sigurisë, demokracisë dhe lirisë. Ministri Mucunski shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme nga SHBA në transformimin e shoqërisë, forcimin e kapaciteteve dhe zbatimin e reformave të nevojshme”, thuhet në kumtesën e Ministrisë.
Në takim u diskutua gjithashtu aleanca e fortë në NATO, bashkëpunimi aktiv në organizatat shumëpalëshe dhe kontributi i përbashkët në stabilitetin dhe sigurinë rajonale dhe globale, shtojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme.