Mucunski dhe Lami nënshkruajtën Deklaratën e Partneritetit Strategjik

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski dhe Sekretari i Jashtëm Britanik David Lami nënshkruan sot (17 korrik) në Ministrinë e Jashtme në Londër një Deklaratë të Partneritetit Strategjik midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut. Investime në vlerë prej 6 miliard euro pritet të bëhen në infrastrukturë, shëndetësi dhe transport, si rezultat i partneritetit strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar, transmeton Portalb.mk.   

Ministri i Jashtëm i RMV njoftoi në Facebook se kjo hap një kapitull të ri në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe forcon marrëdhëniet dypalëshe me Mbretërinë e Bashkuar. 

“Ky dokument do të forcojë dhe avancojë marrëdhëniet strategjike midis dy vendeve, duke përfshirë bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes, veçanërisht brenda NATO-s. Gjithashtu diskutuam marrëveshjen e fundit “qeveri-me-qeveri”, e cila do të rrisë tregtinë, do të stimulojë rritjen ekonomike dhe do të mundësojë zbatimin e një numri projektesh infrastrukturore. Gjithashtu diskutuam aleancën tonë brenda NATO-s, si dhe bashkëpunimin në organizatat shumëpalëshe” shkroi Mucunski në një postim në Facebook.  

Më parë, parlamenti i RMV miratoi Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes midis Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut në lidhje me një partneritet për zbatimin e projekteve infrastrukturore. 

Maqedonia e Veriut është vendi i parë në Ballkan që ka lidhur një Marrëveshje Partneriteti Strategjik me Mbretërinë e Bashkuar. Më 16 maj në Tiranë u nënshkrua Marrëveshja bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ajo u vlerësua si një marrëveshje historike nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.

Marrëveshja u nënshkruar në kuadër të Samitit të Komunitetit politik evropian, ku u takua kryeministri Hristijan Mickoski dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer.