Muamer Seferi është emëruar si drejtori i ri në detyrë i Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërim” në Shkup. Ai është anëtar i koalicionit VLEN, nga radhët e Lëvizjes Besa të Bilal Kasamit.
Informacionin se ka marrë përsipër detyrën e drejtorit në detyrë në “Parqe dhe Gjelbërim” e bëri të ditur vetë Seferi në rrjetet sociale. Ai tha se është i bindur se me punë të ndershme, menaxhim efikas dhe bashkëpunim institucional, do të arrihen rezultate konkrete në përmirësimin e sipërfaqeve të gjelbra dhe shërbimeve publike.
“Kjo detyrë përfaqëson një besim të madh dhe një obligim serioz për të punuar me përkushtim, transparencë dhe profesionalizëm në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik. Në mënyrë të veçantë, shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Kryetarin e Lëvizjes BESA Bilall Kasami , si dhe për krerët e koalicionit VLEN, për besimin e dhënë. Falënderoj gjithashtu të gjitha strukturat dhe aktivistët e VLEN-it për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin korrekt.
Jam i bindur se, me punë të ndershme, menaxhim efikas dhe bashkëpunim institucional, do të arrijmë rezultate konkrete në përmirësimin e hapësirave të gjelbra dhe shërbimeve publike, në interes të qytetarëve”, shkroi Seferi.
Gjatë korrikut të vitit 2024 drejtor në “Parqe dhe Gjelbërim” u emërua Martin Angelovski. Para tijm në këtë ndërmarrje ishte Sefi Shabani, i cili më parë ishte sekretar në Komunën e Sarajit.




