Mrekulli pas 13 ditëve të tërmetit në Turqi: Tre persona u nxorën të gjallë nga rrënojat në Hatay

Vazhdojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit në zonat e prekura nga tërmeti në shtetin turk.

Ekipet garojnë me kohën për të gjetur njerëz të gjallë nën gërmadhat e shkaktuara nga dy tërmete me magnitudë prej 7.7 dhe 7.6 shkallës të Rihterit.

Së fundi, tre persona, mesin e tyre një fëmijë u shpëtuan nga rrënojat në provincën e Hatayt.

Ata u nxorën të gjallë pas 296 orëve nga gërmadhat e banesës “Kanatlı” në qendër të Antakyas, raportojnë mediat turke.

Të mbijetuarit janë dërguar në një spital për trajtime shëndetësore ndërsa bëhet e ditur se janë në gjendje të mirë.

Ndryshe, Turqia ka regjistruar mbi 40 mijë viktima gjersa mijëra ndërtesa janë shkatërruar në dhjetë provinca.