MPJ njofton: 9 shtetas të RMV-së në rajonin e goditur nga tërmeti në Turqi

Ministria e Punëve të Jashtme, përmes Ambasadës së saj në Ankara dhe Konsullatës së Përgjithshme në Stamboll, po ndjek nga afër situatën në Turqinë juglindore pas tërmetit të fortë mëngjesin e sotëm, dhe raporton vazhdimisht për situatën në zonat e rrezikuara.

Informacionet nga terreni tregojnë për një tërmet jashtëzakonisht të fortë me pasoja të mëdha për jetën e njerëzve të gjetur në rajonin e prekur; një numër i madh viktimash që i kalon disa qindra qytetarë, një numër i madh i të lënduarve si dhe dëme të rënda materiale që e komplikojnë situatën në terren.

Përfaqësitë tona pasi u informuan, kontaktuan nëntë nga qytetarët tanë që ndodhen në rajonin e goditur nga tërmeti. Bëhet fjalë për tetë studentë dhe një mentor/mësues të tyre, të cilët po qëndrojnë në Republikën e Turqisë përmes programit “Erasmus Plus”. Si pasojë e tërmetit, dy nga nxënësit kanë pësuar lëndime fizike: një student ka lëndime më të rënda – frakturë që aktualisht është në kujdes nga personeli mjekësor, duke u rikuperuar – ndërsa nxënësi i dytë ka lëndime të lehta. Asnjë nga studentët dhe mentori nuk janë në rrezik.

Deri më tani nuk ka asnjë informacion për shtetas të tjerë tanë që janë në rrezik, apo që kanë nevojë për ndihmë, por përfaqësitë tona mbeten në komunikim të vazhdueshëm si me institucionet kompetente të Turqisë ashtu edhe me qytetarët tanë të cilët janë të informuar për situatën në terren. Pas instruksionit të MPJ-së, tashmë në rajon është dërguar një diplomat nga Ambasada në Ankara për të ndihmuar në evakuimin e studentëve nga qyteti Kahraman Marash, si dhe për të siguruar informacione direkt nga terreni, në zonat më të goditura.

Shfrytëzojmë rastin të theksojmë edhe një herë se misionet tona diplomatike në Turqi janë në dispozicion 24 orë në ditë për të gjitha pyetjet e mundshme, në numrat e telefonit: +905394569710 në Ankara, +905456149777 në Stamboll dhe + SOS telefon i MPJ-së në Shkup, 38975273732