MPJ-ja le të merret edhe me demaskimin e ‘prorusëve’ dhe ‘proserbëve’ në Shkup

Shkruan: Fejzi Hajdari

Më ka habitur goxha shumë ditëve të fundit vendimi, nota diplomatike, me të cilën 3 diplomatë të Ambasadës së Federatës Ruse në Shkup, janë shpallur të padëshirueshëm në vend (persona non grata). Vendimi i këtillë në Ministrinë e Punëve të Jashtme i është kumtuar ambasadorit rus.

Deri këtu puna krejt në rregull. Por a janë marrë organet e këtilla kompetente me atë se këta “persona non garat” rusë, a kanë patur bashkëpunëtorë të tyre në Maqedoninë e Veriut.

Përgjigja këtu është pozitive, po! Bile-bile kanë shumë adhurues e tifozë jo vetëm tekshumica e maqedonasve që shfaqin mendim kolektiv të cuditshëm proRusisë kur është në pyetje agresioni ndaj Ukrainës bile edhe proSerbisë gjithnjë bazuar në anketat e fundit, por të tillë do të duhej të kishte edhe tek shqiptarët politikë, që janë ngjitur lartë në kierarkinë – vertikalen e aparatit shtetërorë. Po të nisni të hulumtoni dicka të tillë, do të duhej të keni parasysh edhe ‘OpenBallkanistët shqiptarë’ (përvec atyre maqedonas), të cilët e përqafuan me shumë kënaqësi dhe lezet, këtë ide ruse të promovuar nga sërbët (Open Ballkan) në Novi Sad të Serbisë në vitin 2019. Se sa ka qenë i rrezikshëm ky projekt hegjemon serb për rajonin në tërësi dhe trojet shqiptare në veçanti, tregoi sugjerimi i prerë i ndërkombëtarëve që Edi Rama të heq dorë pa asnjë kushtezim nga Open-Balkan, pas një periudhe relativisht të shkurtër, kur kryeministri shqiptar nuk kishte lënë fjalë të bukura pa thënë për “Open Balkan”-nin.

Me këtë paragrafin e fundit dua të nënvizojë se sikurse në rastin e Edi Rama, ndërkombëtarët pas dëbimit të diplomatëve rusë, duhet të veprojnë edhe me shqiptarët e këtushëm politikë në Shkup – të heqin dorë nga ndikimi (ose eventualisht direktivat nga Vucici) i qendrave ruso-serbe. Se ndikim të tillë të sforcuar ka në Shkup, lehtë e keni ta identifikoni e provoni, vetëm provoni të shihni se si të tillët reagojnë kur janë në pyetje interesat legjitime kombëtare të shqiptarëve.

Pse e potencojë problemi e shqiptarëve?

Sepse, qarqet ruso-serbe nëpërmjet armiqësimit të maqedonasve ose sërbëve me shqiptarët, duan ta destabilizojnë rajonin. E keni rastin e veriut të Kosovës, ku Beogradi me zor dëshiron t’i armiqësojë sërbët me shqiptarët në Kosovë, edhe pse një pjesë dërrmuese e sërbëve në Kosovë nuk duan ta dëgjojnë Beogradin. Nënkryetari serb i Qeverisë së Kosovës Rashiq, ditë më parë dëshmoi për këtë presion absurd nga Beogradi ndaj sërbëve të Kosovës.

Pra, rasti i Velesit me gjimnazistët shqiptarë, mund t’ju shërbejë si shembull konkret. Të gjithë shqiptarët u zgjuan në këmbë, kur panë se si po anashkalohet një e drejtë ndaj shqiptarëve e garantuar me ligj – për arsimim në gjuhën amëtare. Të ndikuarit shqiptarë e maqedonë politikë nga politika e sipërpërmenduar (ruso-serbe), tentuan me cdo kusht ta “fshehin” ose ta relativizojnë problemin jetik të shqiptarëve të Velesit. Velesi është vetëm një pikë në atë mozaik.

Ju e patë se reagime të njëjta, biles sikur të koordinuar të përnjehershme, kishte presidenti Pendarovski, kryeministri Kovacevski, Ali Ahmeti dhe Vuciqi, edhe me rastin e vizitës së kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në Shkup e Tetovë.

Nuk janë gjimnazistët e Velesit dhe ndonjë djal nga Tetova që rastësisht mbanë në dorë flamurin e “Shqipërisë etnike”, ata që e rrezikojnë rajonin nga destabiliteti, por, pikërisht diplomatët e dëbuar rusë, pastaj këta ‘prorusët’ dhe ‘proserbët’ (maqedonë e shqiptarë) që mund të jenë dorë e zgjatur e tyre, mund te jenë ata që duke mbeshtetur politikat e Moskës e Beogradit në Shkup, mund të ndikojnë në përkeqësimin e gjendjes së përgjithshme dhe rrjedhimisht edhe të ndonjë incidenti eventual me përmasa rajonale.
Prandaj fokusi, vigjilenca duhet shtuar pikërisht tek “proserbët dhe prorusët” e tanë në Shkup.

Qarqet diplomatike antiperëndimor apo ato të shërbimit ruso-serb, pa patur bashkëpunëtorë në Shkup, nuk mund të kryejnë asnjë aktivitet të rrezikshme. Dhe e kundërta, ata mund të jenë të rrezikshëm për plane djallëzore, atëherë kur të kenë bashkëpunëtorë qoftë tek shqiptarët, qoftë tek maqedonasit, sidomos kur bashkëunëtorët t’i kenë me pozita të larta shtetërore.